Sport

Rinovimi i Marcus Thuram te Interi në pikëpyetje, sulmuesi francez kërkon rritje të pagës

E ardhmja e Marcus Thuram te Interi po shoqërohet me paqartësi, pasi negociatat për rinovimin e kontratës kanë hasur vështirësi për shkak të diferencave ekonomike mes palëve.

Sulmuesi francez ka një kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2028, ndërsa drejtuesit zikaltër synojnë ta zgjasin bashkëpunimin deri në vitin 2031.

Megjithatë, pengesa kryesore mbetet paga. Thuram përfiton aktualisht rreth 6 milionë euro neto në sezon, shumë që mund të rritet përmes bonuseve. Futbollisti kërkon një përmirësim të kushteve financiare, me synimin për të arritur një pagë rreth 8 milionë euro në sezon.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Interit, duke ndjekur politikën financiare të pronarëve të Oaktree, preferojnë një pagë fikse më të ulët, rreth 4.5-5 milionë euro, e shoqëruar me bonuse që varen nga paraqitjet individuale dhe rezultatet e ekipit.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Thuram e ka Interin si prioritet, por nëse nuk arrihet një marrëveshje, largimi i tij mund të bëhet një mundësi në merkaton e ardhshme.

Në kontratën e francezit ekziston edhe një klauzolë largimi prej 85 milionë eurosh, ndërsa interesimi nga klubet e tjera mund ta komplikojë më tej situatën.

Palët pritet të vijojnë bisedimet në javët në vazhdim për të gjetur një zgjidhje që kënaq të dyja palët.