Van Dijk drejt largimit nga Liverpooli? Kapiteni lë të hapur mundësinë e ndarjes në verë
Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka pranuar se e ardhmja e tij në “Anfield” mbetet e paqartë, duke lënë të hapur mundësinë e largimit në përfundim të sezonit.
Në një intervistë për “Sky Sports”, mbrojtësi holandez ka deklaruar se ende nuk e di nëse do të vazhdojë karrierën te Liverpooli edhe sezonin e ardhshëm. Kontrata e tij aktuale përfundon në qershor të vitit 2027 dhe deri më tani nuk ka një vendim për rinovimin.
“Për momentin nuk e di se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm. Nëse dikush thotë se e di të ardhmen time, nuk është e vërtetë, sepse as unë vetë nuk e di”, u shpreh Van Dijk.
35-vjeçari theksoi se ndihet mirë fizikisht dhe beson se ka ende disa vite të tjera për të luajtur në nivelet më të larta.
Megjithatë, ai nuk e përjashtoi një ndarje me klubin anglez, duke shtuar se nëse nuk arrihet një marrëveshje për rinovimin, do të përshëndetet me tifozët në verë.
Van Dijk iu bashkua Liverpoolit në janar të vitit 2018 nga Southampton dhe është kthyer në një prej figurave kryesore të ekipit, duke fituar dy tituj të Premier League dhe Ligën e Kampionëve, mes trofeve të tjerë.
Një largim i mundshëm do të shënonte fundin e një epoke për Liverpoolin, ku holandezi ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.


