AktualitetEkonomi

Nafta 217 lekë/litër, Shoqata e Transportit Publik kërkon heqjen e TVSH-së dhe subvencione

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban kanë reaguar publikisht për rritjen e fortë të çmimit të karburantit, i cili ka arritur deri në 217 lekë/litër. Sipas tyre, kjo rritje e shpejtë, e nisur që prej 28 shkurtit në kohën e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e operimit të sektorit.

Përballë kësaj situate, shoqatat i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë duke hequr TVSH-në për transportin publik, duke rishikuar taksat mbi karburantin dhe duke vendosur skema subvencionesh apo kompensimi. Qëllimi i këtyre masave është ruajtja e shërbimit për qytetarët pa ndryshuar çmimin aktual të biletave.

Në reagimin e tyre, ato theksojnë se sektori i transportit publik po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës, që ka çuar në rritje të ndjeshme të shpenzimeve operative. Duke qenë se tarifat janë të rregulluara dhe hapësira për të përballuar kostot është e kufizuar, kjo situatë po e bën gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e balancës financiare dhe garantimin e shërbimit me të njëjtin standard dhe frekuencë.

Shoqatat nënvizojnë gjithashtu se pesha e lartë e taksave në çmimin e karburantit po e rëndon edhe më shumë gjendjen financiare të operatorëve. Sipas tyre, mungesa e masave konkrete nga institucionet deri tani rrit rrezikun që shërbimi të mos mund të ofrohet në të njëjtat kushte si më parë, duke ndikuar drejtpërdrejt tek qytetarët.

Megjithatë, operatorët shprehen se nuk synojnë as uljen e cilësisë së shërbimit dhe as rritjen e çmimit të biletave, por paralajmërojnë se pa mbështetje institucionale, vazhdimësia e këtij niveli shërbimi bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Në këtë kuadër, ata kërkojnë masa të menjëhershme si: rishikimi i taksave mbi karburantin, veçanërisht akcizës dhe taksës së qarkullimit; heqja e TVSH-së për transportin publik; si dhe vendosja e skemave mbështetëse për të garantuar qëndrueshmërinë e sektorit.