Ekonomi

Miratohet rregullorja e re për pagesat me kartë, kufizohen komisionet në 0.2% për debitin dhe 0.3% për kreditin

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar rregulloren e re për tarifat e shkëmbimit në transaksionet e pagesave me kartë, duke vendosur kufij maksimalë për komisionet që aplikohen ndërmjet institucioneve financiare. Sipas vendimit, tarifa e shkëmbimit nuk mund të jetë më e lartë se 0.2% për pagesat me kartë debiti dhe 0.3% për ato me kartë krediti.

Vendimi synon të ulë kostot që bizneset përballojnë për pranimin e pagesave elektronike, si dhe të nxisë përdorimin e kartave bankare në transaksionet e përditshme. Ndryshimet pritet të ndikojnë veçanërisht te bizneset e vogla dhe të mesme, për të cilat komisionet e bankave për pagesat me kartë përbëjnë një kosto shtesë.

Në terma konkretë, për një pagesë prej 10 mijë lekësh me kartë debiti, tarifa e shkëmbimit nuk mund të kalojë 20 lekë, ndërsa për të njëjtën shumë të paguar me kartë krediti, kufiri është 30 lekë. Për një transaksion prej 100 mijë lekësh, këto tarifa kufizohen përkatësisht në 200 dhe 300 lekë.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë sqaron se këto kufij nuk përfaqësojnë komisionin përfundimtar që bizneset paguajnë për pranimin e kartave. Kostoja totale përfshin edhe tarifat e skemave të pagesave, si Visa dhe Mastercard, si dhe marzhin e institucionit që ofron shërbimin e pranimit të pagesave. Për rrjedhojë, ulja e tarifës së shkëmbimit nuk do të thotë automatikisht që komisioni total për bizneset do të jetë 0.2% ose 0.3%.

Një tjetër element i rëndësishëm i rregullores është rritja e transparencës. Bankat dhe institucionet financiare do të duhet të bëjnë të qarta tarifat që u aplikojnë tregtarëve, duke ndarë veçmas tarifën e shërbimit, tarifën e shkëmbimit dhe kostot e skemës së kartës. Kjo do t’u japë bizneseve mundësi më të mira për të krahasuar ofertat dhe për të negociuar komisione më të favorshme.

Rregullorja parashikon gjithashtu më shumë liri për tregtarët në përzgjedhjen e kategorive të kartave që pranojnë, si dhe masa për të rritur konkurrencën mes operatorëve të pagesave.

Kufizimet do të zbatohen për transaksionet vendase me kartat e debitit dhe kreditit të konsumatorëve, kur të dy ofruesit e shërbimeve të pagesave janë të vendosur në Shqipëri. Nga ky kuadër përjashtohen kartat tregtare dhe tërheqjet e parave në bankomate apo në sportelet bankare.

Miratimi i rregullores përbën gjithashtu një hap drejt përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, duke synuar modernizimin e sistemit të pagesave dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike.