Abuzoi me tenderat, ish-ministri i Shëndetësisë ofron 20 mijë euro garanci për lirinë
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest me burg” me një masë më të lehtë, duke ofruar një garanci pasurore prej 20 mijë eurosh për lirimin nga qelia. Kjo kërkesë vjen rreth dy vite pas arrestimit të tij nga SPAK, nën dyshimet për disa vepra penale.
Beqaj akuzohet për korrupsion pasiv, shkelje të procedurave të tenderëve, falsifikim dokumentesh, mashtrim me pasoja, mashtrim në bashkëpunim dhe fshehje të pasurisë. Ndërkohë, të martën, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e bashkëpunëtorit të tij, Ermal Kurtulaj, për ndryshim të masës së sigurimit “arrest me burg” me një tjetër masë më të lehtë.
Sipas SPAK, gjatë kohës si drejtor i Përgjithshëm i SASPAC, Beqaj kishte urdhëruar Kurtulajn të realizonte prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE-së. Tenderat, sipas hetimeve, bëheshin vetëm për efekt dokumenti dhe më pas përfundonin tek kompani të lidhura me Ilir Beqajn, duke ngritur dyshime për përfitime të paligjshme.
