Bilanci tragjik në vend, çdo muaj humb jetën një punonjës, ekspertët: Situatë alarmante, nuk ka rregulla strikte për rekrutimin e tyre
9 elektricistë kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë vitit 2026, statistika të siguruara sipas njoftimeve të Policisë së Shtetit deri në muajin nëntor. Duke treguar se mesatarisht pothuajse një punonjës i këtij sektori ka humbur jetën çdo muaj gjatë kryerjes së detyrës.
Siguria e punonjësve të sektorit të energjisë ka ngritur shqetësime të cilët ekspertët e tregut i konsiderojnë alarmante. Vetëm në 4 ditët e fundit janë shënuar dy viktima duke rikthyer në vëmendje rrezikun e lartë me të cilin përballen elektricistët gjatë ndërhyrjeve në terren.
Më 6 nëntor një 45-vjeçar humbi jetën në fshatin Kocul të Vlorës, teksa grupi i punonjësve po kryente riparime në një nënstacion elektrik. Ndërsa vetëm një ditë më parë, në fshatin Vasije të Kalasë së Dodës, një tjetër punonjës u zu poshtë nga një shtyllë elektrike gjatë punës.
“Nuk ka rregulla strikte për rekrutimin e elektricistëve të rinj”, shprehet eksperti Ilir Dizdari.
Nga kontakti me rrymën elektrike, te shkëputja e rripit të sigurimit dhe rrëzimi i shtyllave, shkaqet e aksidenteve janë të ndryshme. Por ekspertët ngrenë edhe problematika të tjera që lidhen me kushtet dhe organizimin e punës në terren.
“Gjithë startuat teknike që janë pjesë e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, në stafet e ngushta nuk kanë favorizuar njerëz apo specialistë”, thotë ai.
Pajisjet mbrojtëse, trajnimet dhe respektimi i procedurave teknike janë thelbësore për të shmangur aksidentet. Por përsëritja e rasteve fatale ngre pikëpyetje sipas ekspertëve mbi zbatimin e këtyre rregullave dhe përgjegjësinë për garantimin e sigurisë së punonjësve.
Ekspertët bëjnë thirrje për masa konkrete për të parandaluar rastet në mënyrë që puna në shërbim të qytetarëve mos të kthehet në një rrezik për jetën e vetë punonjësve.


