Skandali i mbetjeve toksike në Elbasan, largohet administratorja e Albchrome, drejtimin e merr turku Selim Sevgen
Shpërthimi i skandalit të rëndë mjedisor në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan ka sjellë lëvizje në piramidën drejtuese të kompanisë “Albchrome”.
Kapitali ka mësuar se administratorja kryesore e kësaj kompanie, Teuta Üstündağ, është larguar zyrtarisht nga posti i saj duke mbyllur të premten marrëdhëniet me kompaninë.
Üstündağ ka qenë njeriu më i fuqishëm në Albchrome që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u emërua në postin e administratores së parë të kompanisë. Por pas shpërthimit të skandalit të mbetjeve, rreth dy muaj më parë grupi turk Yildirim emëroi një bashkëadministrator të ri në Albchrome, turkun Selim Sevgen, i cili tashmë është drejtuesi real i kompanisë.
Largimi i Üstündağ vjen pikërisht kur një raport i fundit i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe IKMT-së e dokumentoi situatën në uzinë si një “katastrofë mjedisore”.
Sipas gjetjeve zyrtare, operatori metalurgjik ka depozituar në mënyrë të paligjshme dhe në ambient të hapur qindra ton mbetje toksike e helmuese, të cilat rrezikojnë seriozisht shëndetin e banorëve të zonës.
Ky përshkallëzim vjen vetëm tre ditë pasi Prokuroria e Elbasanit ndërhyri duke urdhëruar sekuestrimin e menjëhershëm të këtyre mbetjeve të rrezikshme dhe duke hapur një hetim penal të gjerë.
Kontrollet në terren zbuluan mbi 300 tonë pluhur industrial të dëmshëm, të grumbulluar nga filtrat e oxhaqeve, i cili ishte stivuar pa asnjë masë sigurie apo izolimi ndaj agjentëve atmosferikë në qiell të hapur.
Në mes të kësaj situate të rënduar, Teuta Üstündağ, e cila mbante frenat e administrimit të shoqërisë gjatë periudhës kur u zbulua skandali i helmeve, ka lënë detyrën, duke ia dorëzuar stafetën turkur Sevgen.
Organet e akuzës po vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë penale të ish-drejtuesve dhe nuk dihet nëse këto lëvizje të fundit në menaxhim janë bërë për të shmangur llogaridhënien përpara ligjit./kapitali.al


