Elpiniqi që vjedh të sëmurët mendorë, 33 tendera me shkelje në Spitalin Psikiatrik të Vlorës: Kush e mbron drejtoreshën?!
Drejtoresha e Spitalit Psikiatrik të Vlorës, Elpiniqi Mërkuri, është kapur me shkelje të shumta nga një raport i nxjerrë nga Agjencia e Prokurimit Publik, duke hedhur hije të mëdha dyshimi se çdo procedurë prokuruese në atë institucion bëhet me shkelje, teksa akoma më e paqartë mbetet fakti se drejtoresha vijon të jetë në detyrë.
Raporti në fjalë meriton një hetim të plotë, pasi të gjithë jemi dëshmitarë të përballjes të pacientëve të atij spitali me mungesë infrastrukture, kushtesh, medikamentesh apo edhe për ushqim, ndërsa mediat kanë raportuar në vijimësi për shkelje të shumta edhe në trajtimin çnjerëzor të të sëmurëve.
Duket se, problemet vijnë nga koka, nga titullarët dhe vetë drejtoresha, Elpiniqi, e cila duket se në vitet e fundit po ngre shkallët e karrierës, pasi nga një punonjëse e thjeshtë në Tiranë, në një kompani farmaceutike, u katapultua si Kryetare e Këshillit Bashkiak të Vlorës.
Në atë post, Elpiniqika firmosur gjithçka që i serviret nga Bashkia, qoftë në faljen e pronave për fotovoltaikë, për leje plazhi, për krijimin e shoqërive që do gllabërojnë prona në qytetin bregdetar, apo edhe në zaptimin e hapësirave publike.
Megjithatë, abuzimet e saj më të mëdha, të paktën ato morale, duket se janë gjatë kohës që drejton Spitalin Psikiatrik të Vlorës, ku për një periudhë të shkurtër, Agjencia e Prokurimit Publik i ka gjetur shkelje në të paktën 33 tendera. Të vjedhësh të sëmurët mendore, t’u marrësh ushqimin, veshmbathjet, ilaçet është një krim çnjerëzor, që të paktën meritohet të hetohet edhe penalisht.
Jane hulumtuar dokumentet zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik, në të cilat janë detajuar shkeljet e drejtoreshë Elpiniqit. Janë audituar dhe gjetur me shkelje plot 33 tendera, 25 procedura dhe 8 kontrata.
Shkelje janë gjetur në 2 procedura të hapura, në 7 procedura të thjeshtuara, në 16 procedura prokurimi me vlerë të vogël. Gjithashtu janë gjetur parregullsi të shumta në 11 kontrata publike furnizimi, në 13 kontrata publike për shërbime dhe në 1 kontratë publike për punë. Pra, shkelje në gjithçka!
Ndër shkeljet e konstatuara, sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, është se Spitali dhe vetë Elpiniqi nuk ka vepruar në përllogaritjen e vlerës së prokurimit. Gjithashtu edhe me kriteret e kualifikimit, pra duke vendosur kritere që “kapeshin” nga firma të caktuara. A mos vallë kanë qenë të paracaktuara?!
Shkeljet vijojnë se, Spitali Psikiatrik nuk ka dëshmuar nëse për kontratat, të jenë zbatuar kërkesat e parashikuara në dokumentet e tenderit dhe detyrimeve të kontratës. Raporti parashikon se është gjetur shkelje edhe në një VKM, që s’është zbatuar.
Nëse do t’i analizojmë shkeljet e sipërpërmendura, do të vërejmë që ka jo vetëm abuzime, por edhe disa vepra penale. Nuk janë pak, por plot 33 procedura me një dëm të madh ekonomik për buxhetin e shtetit, apo edhe një dëm ndaj pacientëve të atij spitali.
“Në bazë të ligjit ‘për prokurimin publik’, APP vendosi të propozojë marrjen ? masës disiplinore ndaj 14 personave dhe të dënojë me gjobë 8 persona, të evidentuar përgjegjës për shkelje dhe mangësi të konstatuara në vendim” thuhet në këtë vendim.
Duket se, në gjithë abuzimet e sipërpërmendura, drejtoreshë Elpiniqi është “amnistuar”, pasi nuk ka asnjë masë ndaj saj. Nëse 14 punonjës apo vartës të saj abuzuan, a dine gjë drejtoreshë Elpiniqi? Kush i urdhëroi këta punonjës të bënin tendera?
Natyrisht, raporti i APP-së apo edhe KLSH-së meriton një hetim të plotë dhe të thelluar. Organet ligjzbatuese kanë një indicie të fortë për të hapur të paktën një dosje. Nëse do t’i shkojnë deri në fund, kjo mbetet për t’u parë, por të paktën këto abuzime, që rëndojnë pikërisht pacientët me probleme, të hetohen.

