Aktualitet

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë jep alarmin: Evropa ka rreth 6 javë karburant për avionë!

Europa mund të ketë në dispozicion karburant për avionë vetëm për “rreth gjashtë javë”, deklaroi të enjten drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, duke paralajmëruar se anulimet e fluturimeve mund të nisin “së shpejti” nëse furnizimet me naftë vazhdojnë të mbeten të bllokuara për shkak të luftës në Iran.

Në një prononcim për Associated Press, Birol paraqiti një tablo të rëndë të pasojave globale të asaj që ai e përshkroi si “kriza më e madhe energjetike me të cilën jemi përballur ndonjëherë”.

Sipas tij, situata është serioze dhe do të ketë ndikim të madh në ekonominë botërore. “Sa më gjatë të zgjasë, aq më të rënda do të jenë pasojat për rritjen ekonomike dhe inflacionin në të gjithë botën”, tha kreu i IEA.

Birol theksoi se ndikimi i menjëhershëm do të reflektohet në rritjen e çmimeve të benzinës, gazit natyror dhe energjisë elektrike.

Ai vlerësoi se pasojat ekonomike nuk do të ndihen njësoj në të gjitha vendet. Sipas tij, Japonia, Koreja e Jugut, India, Kina, Pakistani dhe Bangladeshi ndodhen në vijën e parë të krizës energjetike.

Vendet që do të goditen më shumë nuk do të jenë ato që dëgjohen më fort në arenën ndërkombëtare. Do të jenë kryesisht vendet në zhvillim, veçanërisht vendet më të varfra të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine”, tha Birol. Ai shtoi se më pas pasojat do të arrijnë edhe në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.

Duke folur për Europën, Birol tha se nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet, së shpejti mund të ketë njoftime për anulime të fluturimeve mes qyteteve europiane për shkak të mungesës së karburantit për avionë.

Kreu i IEA shprehu gjithashtu kundërshtimin e tij ndaj praktikës që, sipas tij, Irani ka zbatuar tashmë për disa anije, duke kërkuar pagesa milionëshe për t’u lejuar kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ai paralajmëroi se nëse ky sistem “tarifash kalimi” bëhet i përhershëm, mund të krijojë precedent edhe për rrugë të tjera detare strategjike, si Ngushtica e Malakës në Azi.

Nëse e ndryshojmë këtë rregull qoftë edhe një herë, mund të jetë e vështirë ta kthejmë pas. Do të jetë e vështirë të pranohet një sistem tarifash këtu, por jo diku tjetër. Do të doja të shihja që nafta të rrjedhë pa kushte nga pika A në pikën B”, deklaroi Birol për Associated Press.