Aktualitet

Mir Pepa si “don Kishoti”: Si e “arrestoi” veten para se ta çmontonte BKH-ja

Ekspozoi veten nëpër klube nate e sherre grash për t’u bërë i famshëm, por nuk e dinte se fama ishte burgu i tij i parë. Tani vjen i dyti…

Fleta e arrestit i është prerë, por prej kohësh një njeri ecën i burgosur. Jo pas hekurash, por brenda një hije që e ka ndërtuar me duart e veta. Para se Prokuroria e Posaçme ta shpallte në kërkim për 7.5 tonë kokainë, Jetmir Pepa kishte kryer tashmë një formë tjetër arrestimi: arrestimin e figurës së tij në syrin e publikut.

Një lojë e çuditshme e ngjan këtë me atë të kalorësit të trishtuar të Mançës. Don Kishoti nuk luftonte me gjigantë të vërtetë, por me mullinj me erë. Edhe Pepa zgjodhi armiq të rremë: lavdinë e çastit, zilinë e vogël, shfaqjen e dhunshme në klube nate. Por ndërsa kalorësi i Mançës e bënte këtë nga një çmenduri e pafajshme, këtu bëhet fjalë për një tjetër rdon Kishot: njeriun që përpiqet të mbushë zbrazëtirën e tij me skandale.

Psikologjia e një njeriu për tu ekspozuar

Çfarë e shtyn dikë të bëhet “molla e sherrit” në një përleshje grash me gota në restorant? Pse dikush qëllon me armë në ajër në mes të një koncerti, në prani të qindra syve? Përgjigja nuk qëndron tek guximi, por tek frika e padukshmërisë.

Një individ i tillë ka nevojë të dëgjohet, të shikohet, të diskutohet. Edhe nëse biseda për të është e ndotur. Edhe nëse emri i tij lidhet me dhunë dhe poshtërsi. Për një person të frustruar, skandali bëhet një thithkë që ushqen egon e thatë. Marrëdhëniet me vajza të dëgjuara të televizionit, publiciteti i dhunës në ambiente të ndriçuara, madje edhe pretendimi për të publikuar video të fshehta; e tëra kjo është një përpjekje për të qëndruar në majë të gjuhës së njerëzve.

Por kjo majë është e rrezikshme. Sepse sa më shumë ngjitet një njeri në një piedestal balte, aq më e shpejtë është rënia.

Kur SPAK troket në derë

Ndërsa ai luante rolin e “personazhit të famshëm”, në heshtje Prokuroria e Posaçme po mblidhte prova për tetë episode trafikimi kokaine nga Amerika Latine në Evropë.

Në prill 2020, një ngarkesë prej 1,018 kilogramësh nga Peruja. Në qershor 2020, plot 2,020 kilogramë nga Ekuadori. Në po atë muaj, 516 kilogramë të tjerë. Pastaj 500 kilogramë nga Kolumbia. Në gusht 2020, ngarkesa më e madhe: 1,600 kilogramë. Dy javë më vonë, 1,238 kilogramë të tjerë nga Ekuadori. Dhe në tetor, 531 kilogramë për të mbyllur vitin. Gjithsej 7.5 tonë lëndë narkotike që grupi i tij dyshohet se futi ose tentoi të fuste nëpër porte holandeze.

Dje, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi 11 urdhër-arreste. Vetëm tre persona ranë në pranga: vëllai i Mir Pepës, Lulzim Pepaj, 52 vjeç, bashkë me Florian Markun, 34 vjeç, dhe Anton Kolajn, 33 vjeç. Tetë të tjerë janë në kërkim. Mes tyre edhe Jetmir Pepa.

Por ajo që e goditi më shumë se burgu ishte sekuestrimi i 232 pasurive me vlerë 12 milionë euro. Në listë hyjnë 100 për qind e aksioneve të “Pepa Group”, firmës së tij të ndërtimit që kishte fituar tendera me pushtetin vendor. Hyn 33.3 për qind e aksioneve të një hidrocentrali në Fierzë, “HEC Arsti”. Hyn 50 për qind e aksioneve të “B.I.V. Shpk” dhe po aq e “Shëngjini 2013”. Nën sekuestro kanë rënë “Oxford Hotel” në Tiranë, “Maison Nuve Aesthetics”, dhe klubi i njohur “Soluna” në Ishull-Shëngjin.

Gjithsej janë bllokuar 60 pasuri të paluajtshme; toka ara, truaj, hotele, posto parkimi, apartamente; të shpërndara në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë. Janë sekuestruar 89 makina dhe mjete ndërtimi, si dhe 72 llogari bankare.

Shteti që veshi don Kishotin me petk të rremë

Tani që perdeja ra, shohim jo vetëm një njeri të zhveshur, por një shtet që e veshi me petk të rremë.

Sepse Don Kishoti i Mançës luftonte me mullinj me erë me paratë e tij. Por Don Kishoti shqiptar, përpara se të shpallej në kërkim për 7.5 tonë kokainë, ishte bërë partner i preferuar i pushtetit. Kompania e tij “Pepa Group”, e themeluar në vitin 2014, ka fituar të paktën 52 tenderë publikë që nga themelimi i saj, me një vlerë totale mbi 69 milionë euro. Por shifra më e ndotur është kjo: vetëm gjatë dhjetë viteve të fundit, kjo kompani ka marrë mbi 33 milionë euro tendera nga buxheti i shtetit.

33 milionë euro para publike që iu dhanë një njeriu që ndërtonte perandorinë e tij mbi gurët e shtrembër të drogës, një njeriu që shkoi aq larg sa mori mbiemrin e ish të dashurës së tij, për t’u fshehur nga drejtësia.

Një skandal i tillë nuk ka nevojë për zbukurime, sepse flet vetë: shteti i dha dorën një grupi kriminal dhe këmbyen paratë e tatimpaguesve me pluhurin e bardhë që vriste të rinjtë e Evropës.

Don Kishoti luftonte me mullinj me erë dhe humbiste. Por të paktën ai besonte në iluzionin e tij. Mir Pepa, përkundrazi, dukej se e dinte se iluzioni ishte i rremë. Megjithatë, ai vazhdoi të qëndronte në skenë, të shkaktonte zënka, të ekspozonte vajza dhe të gjuante me armë nëpër koncerte. E gjithë kjo për të mos parë realitetin: se pas perdes së tij të ndërtuar me klube dhe skandale roze, fshihej një rrjet i tërë droge që priste të shembej.

Tani që SPAK e ka shembur atë perde, ai mbetet i arratisur. Por pyetja më e hidhur për të nuk është “ku të fshihem”, por “pse nuk u fsheha më herët, në vend që të luaja rolin e të famshmit”. Sepse ai vetë e ka burgosur veten në pamjen e tij shumë kohë përpara se gjykata të vuloste fletën e arrestit.

Shteti që e ushqeu me 33 milionë euro para publike, tani e kërkon për drogë. Por mbetet pa përgjigje pyetja: kush e veshi këtë don Kishot me petkun e biznesmenit të pastër, ndërsa ai ndërtonte perandorinë e tij mbi dy botë; njërën në skenën e dritave, tjetrën në hijen e kontejnerëve të Amerikës Latine? /Pamfleti