Opinion

Frank Shkreli: Ribotimi i veprës madhore “Lahuta e Malësisë” në Detroit të Shteteve të Bashkuara. Një detyrë ndaj trashëgimisë tonë në mërgim 

Nga Frank Shkreli* *Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Dhjetorin e vitit të kaluar në Nju Jork u mbajtë për herë të parë ekspozita, “Albanian Bookfest” — një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar në Shtetet e Bashkuara.  Aty pata nderin të takoja bashkvendasin Dr Gjekë Gjelaj, i cili me atë rast më njoftoi për planin për të ribotuar Lahutën e Malësisë të At Gjergj Fishtës – version i botuar me 1958 në Romë.  Ky plan është në realizim e sipër, pothuajse – i përfunduar, sipas grupit organizues.  Është një realizim që lidhet me një nismë të rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare në mërgim, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në trojet tona të origjinës.  Dr Gjekë Gjelaj, kryetar i “Aleancës së miqëve të At Gjergj Fishtës në diasporë” ka njoftuar, fillimisht, ribotimin e 5000 kopjeve të kryeveprës së At Gjergj Fishtës, Lahuta e Malcisë, autentike dhe bashkohore. Me këtë ndërmarrje të rëndësishme, Dr Gjelaj me grupin e tij, me banim në Detroit të Shteteve të Bashkuara, është shprehur se me ribotimin e Lahutës së Malësisë autentike të vitit 1958 në Romë, synojnë të forcojnë mëtej identitetin kombëtar të shqiptarëve jashtë atdheut, por jo vetëm. Duke bërë të mundur që ky “Thesar i paçmuar” i letërsisë dhe historisë së shqiptarëve të jetë i pranishëm, për ata që e duan, në çdo familje shqiptare, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe përtej. Si një nismë e rëndësishme për rikthim tek rrënjët, për të nxitur brezin e ri të shqiptaro –amerikanëve për t’u lidhur — në një vend siç është Amerika — me kulturën dhe vlerat kombëtare përmes kësaj vepre bashkohore monumentale të At Gjergj Fishtës.  https://telegraf.al/opinion/nga-frank-shkreli-lahuta-e-malesise-zeri-qe-nuk-shuhet-si mban-gjalle-identitetin-shqiptar-ne-shekullin-e-xxi/.  Siç dihet, Lahuta e Malësisë ishte e ndaluar nga hordhitë sllavo-komuniste aziatike të pa besë, pa fe e pa atdhe, për pothuaj gjysëm shekulli në trojet iliro-arbërore, si për shqiptarët e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës ashtu edhe për ne shqiptarët e lindur e rritur nën regjimin komunist të ish-Jugosllavisë së Titos. Unë për vete,në fëmijëri kisha dëgjuar ndonjë prej këngëve të Fishtës, kënduar nga lahutarët e asaj kohe në vatrat tona. Por, vepra e plotë e At Gjergj Fishtës më ka rënë në dorë, për herë të parë në moshën 20-vjeçare në Romë në vitin 1970, pas arratisjes time nga ish-Jugosllavia komuniste. Ka qenë Dom Prenk Ndrevashaj ai që më ka njohur, fillimisht, me veprën e madhe Lahuta e Malësisë të At Gjergj Fishtës, pikërisht me kopjen në foto më poshtë, të cilën gjithnjë e ruaj edhe sot e kësaj dite– botim i dytë – 1958 në Romë.  Por të cilën Dr Gjekë Gjelaj me “Aleancën e miqëve të At Gjergj Fishtës në diasporë” kanë vendosur t’ua paraqesin lexuesve shqiptarë një ribotim të ri luksoz, autentik dhe bashkohor të botimit të dytë të vitit 1958.


Epopeja Kombëtare e Shqiptarëve

Kopja ime personale Lahuta e Malcis– botim i dytë, 1958 në Romë — dhuratë autorit nga Dom Prenk Ndrevashaj, Romë, 1970. Siç mund të shihet, e zbehtë dhe e vjetëruar. Është, pra, ribotimi luksoz autentik e bashkohor i këtij versioni origjinal që do të jetë së shpejti në dispozicion të lexuesve, nepërmjet portaleve si amazon.com.

“Bashkatdhetar: Lexoje me dashuni Lahutën…Rueje Lahutën, që ashtë ma fort e jotja se e Fishtës,  e ban që kjo të njifet ndër të huej e të ndiqet ndër bashkatdhetarë në mërgim, e ke për të pa se edhe për këtë, anmiku ka për të shqiptue nji ditë, fjalët e Austro-Hungarezëve para Burgjeve të mija, të Silvio Pellico se, “ma dam na bani vepra e shkrimtarit se sa arma e ushtarit”. (Pater Danjel Gjeçaj në parathënien e botimit të Lahutës së Malcis tvitit 1958).
Dr. Gjekë Gjelaj, Drejtori i “Aleancës së Miqëve të At Gjergj Fishtës në Diasporë”, duke paraqitur disa ditë më pare një kopje të ribotimit të Lahutës së Malcis në televizionin shqiptar ALBTVUSA në Detroit

Të nderuar dashamirës të kulturës, gjuhës, studiues, institucione dhe bashkatdhetarë në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë. Vepra monumentale Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishta përbën një nga shtyllat themelore të identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Me një gjuhë të pasur, një narrativë epike dhe një vlerë të jashtëzakonshme historike e letrare, kjo vepër meriton të jetë sa më e pranishmne por edhe e pranueshme për brezat e sotëm dhe të ardhëm. Në një kohë kur trashëgimia kulturore përballet me sfida të shumta, këtu në Amerikë por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe kërkon vëmendjen dhe përkushtimin tonë të përbashkët. Lahuta e Malësisë, kryevepra e At Gjergj Fishtës, duhet të mbetet një monument i gjallë i historisë, gjuhës dhe shpirtit kombëtar.

E shkruar me një forcë të rrallë artistike dhe me një gjuhë të pasur epike, kjo vepër ka shërbyer për dekada si një pikë referimi për identitetin shqiptar, sidomos për mërgatën e anashkakuar dhe përjashtuar nga atdheu, për pothuaj 50-vjet. Megjithatë, sot ajo nuk është gjithmonë lehtësisht e qasshme për publikun e gjerë, veçanërisht për brezat e rinj dhe për diasporën, në përgjithsi. Pikërisht për këtë arsye, ka lindur nisma për ribotimin e Lahutës së Malësisë në një formë të denjë autentike dhe bashkëkohore – një ndërmarrje me rëndësi historike për komunitetin nga grupi shqiptaro-amerikan në Detroit, “Aleanca e miqëve të At Gjergj Fishtës në diasporë”. Qëllimi i kësaj nisme, sipas Drejtorit, Dr Gjekë Gjelaj, është të sjellë një botim të ri, të përgatitur me kujdes shkencor dhe estetik. Projekti synon përfshirjen e një teksti të verifikuar kritikisht, të shoqëruar me studime dhe parathënie nga studiues të fushës, si dhe një paraqitje grafike moderne që ruan frymën tradicionale të veprës. Ribotimi parashikohet të jetë i disponueshëm në disa formate, për të arritur sa më shumë lexues në diasporë, në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Besoj se rëndësia e këtij projekti shkon përtej një botimi të zakonshëm. Ai përfaqëson një përpjekje për të ruajtur dhe përçuar një pjesë thelbësore të identitetit kombëtar, për të edukuar brezat e rinjë, siç thashë më lartë, por edhe për të nderuar figurën e autorit, At Gjergj Fishtës që me Lahutën e Malcisë i dha zë historisë, identitetit kombëtar dhe kulturës shqiptare në një mënyrë të papërsëritshme, sidomos këtu në diasporë, megjithse ka patur edhe ribotime të tjera gjatë viteve. Jam i bindur se ky ribotim nuk ka për qëllim të nënvlersojë ribotime e tjera të Lahutës pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri.

Ndërkaq, organizatorët e kësaj nisme u bëjnë thirrje institucioneve kulturore, studiuesve, shtëpive botuese dhe çdo dashamirësi të librit që të kontribuojnë në realizimin e këtij projekti. Mbështetja mund të jetë financiare, profesionale apo promovuese, duke u bërë kështu pjesë e një misioni që synon të rikthejë një kryevepër shqiptare të gjitha kohërave, në qendër të jetës kulturore shqiptare edhe sot.

Sepse në fund të fundit, ribotimi i Lahutës së Malësisë” nuk është vetëm një projekt botues, por një akt i rëndësishëm kulturo dhe kombltar. Është një ftesë për të ruajtur rrënjët tona dhe për t’i dhënë zë një trashëgimie që meriton të jetojë në çdo kohë, duke kujtuar dhe duke nderuar, njëkohsisht, edhe figurën e autorit, At Gjergj Fishtën.