AktualitetOpinion

Intervista/ Ylli Asllani: Njësitë vendore po përjetojnë krizën më të thellë politiko-shoqërore, ekonomike dhe demografike të demokracisë

Intervistë me Ylli Asllani, Ekspert i parë pranë Komisionit Parlamentar të Reformës Administrative e Territoriale

Nëse 73.8% e të ardhurave të bashkive vijnë nga qeveria qendrore, atëherë nuk kemi autonomi, por varësi strukturore nga qeveria

Propozimi ynë është rritja e numrit të bashkive në 100–120, me modele bashkëpunimi si në Francë dhe Itali

 

Jakup B. GJOÇA


Është e qartë, se pas 10 vitesh nga votimi i Reformës Territoriale, pushteti vendor me 61 bashki është larguar nga qytetari, njësia administrative e fshatit është braktisur nga investimet,. nga shërbimet, shumë bashki sot de facto janë të falimentuara ekonomikisht. Mazhoranca, për interesa politike elektorale, kërkon një Reformë të re Territoriale, natyrisht, që edhe kjo reformë t’i shërbejë interesave partiake, e jo për të zgjidhur problemet akute në shërbim të qytetarëve. Ylli Asllani Ekspert i parë pranë Komisionit Parlamentar të Reformës Administrative e Territoriale, në intervistën eksluzive për Gazetën “Telegraf”, pohon se sot bashkitë përjetojnë krizën më të thellë politiko-shoqërore dhe demokratike. Analizon shkaqet dhe faktorët politikë të dështimit të Reformës së parë Territoriale, duke theksuar se “Qeverisja vendore është vendosur në mënyrë të paramenduar  nën kontrollin e plotë qeverisë dhe Kryeministrit të vendit” dhe propozon që “Qeverisja vendore është vendosur në mënyrë të paramenduar nën kontrollin e plotë qeverisë dhe Kryeministrit të vendit” dhe propozon që “Bashkive duhet t’i rikthehet përgjegjësia e drejtpërdrejtë në territorin e juridiksionit të saj për: prodhimin, trajtimin, transmetimin dhe furnizimin me ujë, mbledhjen, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura, mbledhjen dhe largimin e ujërave të shiut , mbrojtjen nga përmbytjet në zonat e banuara.”

JA PSE DËSHTOI REFORMA TERRITORIALE

Pas 12 vitesh kemi një realitet të qartë:

  • autonomia fiskale nuk është arritur

  • investimet kanë rënë nga 37.6% në 19.5% të buxhetit

  • shpenzimet për paga janë rritur në 45.7%

  • pabarazia territoriale është thelluar

  • dhe besimi publik ka rënë në 4%

Kjo nuk është çështje perceptimi politik, por faktesh. Reforma nuk prodhoi decentralizim, por një sistem të centralizuar dhe autokratik me fasadë vendore.

-Zoti Asllani, a ka “oksigjen” qeverisja e pushtetit vendor?

-Së pari, ju falënderoj për intervistën, për momentin e zgjedhur dhe veçanërisht për tematikën, që do të trajtojmë së bashku. Mendoj se kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt çdo shqiptar dhe vetë të ardhmen e Republikës. Sepse sot nuk po flasim thjesht për bashkitë. Po flasim për funksionimin e shtetit në nivelin më të afërt me qytetarin. Lidhur me pyetjen tuaj, e vërteta është e thjeshtë dhe e rëndë njëkohësisht: Njësitë vendore në Shqipëri po përjetojnë krizën më të thellë politiko-shoqërore, ekonomike dhe demografike të këtyre dekadave. Pas 12 viteve nga reforma administrative territoriale, nuk arriti realisht asnjë objektiv përsa i përket Autonomisë fiskale, Ekonomive të shkallës, Zhvillimit territorial të balancuar apo Uljes së varësisë nga transfertat e qeverisë! Nëse 73.8% e të ardhurave të bashkive vijnë nga qeveria qendrore, atëhere nuk kemi autonomi, por varësi strukturore nga qeveria. Në realitet, vetëm 10 nga 61 bashki kanë një nivel të pranueshëm vetqeverisje fiskale. Nëse heqim efektin e Tiranës, autonomia reale bie në rreth 38.5%. Pra sistemi mbahet në këmbë nga një bashki e vetme, ndërsa pjesa tjetër mbijeton me transferta. Kështu me dy fjalë mund të themi se: Sot pushteti vendor në Shqipëri funksionon me “oksigjen artificial”!

10 vjet pas reformës, 55 nga 61 bashki — pra 90% e territorit — regjistruan rënie të popullsisë sipas Censusit 2023. Rezultati: disa qarqe kanë humbur deri në 28% të popullsisë

A ka qytetari një derë ku të trokasë ?

-Në shumë raste, jo. Pasi reforma e largoi fizikisht shtetin nga qytetari. Sot kemi raste, ku qytetarët udhëtojnë 40–60 km për një shërbim bazë, ndërsa 56.5% e zonave rurale nuk kanë transport publik. Ky është një regres institucional: shteti ekziston në letër, por jo në akses real. Sot, pas më shumë se dhjetë vitesh, qytetari e di të vërtetën pa pasur nevojë për raporte. Shteti nuk u afrua. Shteti u largua nga qytetari. Ka njerëz që udhëtojnë orë të tëra për një dokument. Ka komunitete pa transport, pa shërbime bazë, pa zë në vendimmarrje. Ka familje që e ndjejnë çdo ditë se nuk janë më pjesë e një sistemi, që i përfaqëson. Mos harrojmë se shqiptarët e larguar janë në fakt të përjashtuarit nga sistemi, distancat me shëbimet publike, papunësia, perspektiva dhe benefitet e këtij vendi Kjo braktisje masive po e shndron vendin në një skelet të boshatisur para dyerve të Europës, ku pasagjerët po hidhen drejt brigjeve perëndimore si para fundosjes së një anije. Sipas anketave më të fundit  konfirmohet shpopullimi dita ditës po kthehet në një faktor destabiliteti.

Shteti nuk u afrua. Shteti u largua nga qytetari. Ka njerëz, që udhëtojnë orë të tëra për një dokument. Ka komunitete pa transport, pa shërbime bazë, pa zë në vendimmarrje. Ka familje që e ndjejnë çdo ditë se nuk janë më pjesë e një sistemi, që i përfaqëson.

A ka llogaridhënie pushteti lokal?

-Llogaridhënia është e dobët dhe shpesh formale. 60%  bashkitë jotransparente dhe 59% jopërgjegjëse. Kontrolli financiar teorikisht bëhet nga institucionet qendrore, por praktikisht kemi një kombinim mes kontrollit formal dhe ndikimit politik, sidomos në shpërndarjen e fondeve dhe investimeve. Aktualisht në Shqipëri, qeverisja vendore është vendosur në mënyrë të paramenduar nën kontrollin e plotë qeverisë dhe Kryeministrit të vendit, duke përjashtuar kontrollin e këshillave bashkiak dhe të vetë qytetarëve.

 Çfarë do të thotë që bashkitë janë të falimentuara?

– Do të thotë që nuk mbulojnë dot shpenzimet bazë pa ndihmë nga qendra. Kur një bashki nuk paguan furnitorët, apo investimet, ajo është de facto e falimentuar. Kemi raste konkrete me miliona euro detyrime të prapambetura. Ky është kolaps funksional, jo thjesht problem menaxhimi.

Shqiptarët e larguar janë të përjashtuarit nga sistemi, distancat me shëbimet publike, papunësia, perspektiva dhe benefitet e këtij vendi Kjo braktisje masive po e shndron vendin në një skelet të boshatisur para dyerve të Europës. Shpopullimi dita ditës po kthehet në një faktor destabiliteti.

– A ka krijuar pasoja reforma e bazuar te popullsia dhe efikasiteti?

– Po, dhe pasoja serioze. Reforma rriti madhësinë e bashkive, por uli demokracinë dhe aksesin e qytetarëvë për të marrë shërbime. Mesatarja shqiptare është rreth 47,000 banorë për bashki, 8 herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Literatura ndërkombëtare është e qartë: sa më e madhe njësia, aq më i dobët përfaqësimi.

– A lidhet shpopullimi me Reformën Territoriale?

– Reforma nuk është shkaku i vetëm, por është përshpejtues kryesor. Heqja e funksioneve, përfaqësimit dhe njësive të zgjedhura vendore nga zonat rurale i hoqi këtyre zonave çdo arsye për të qëndruar. Reforma e vitit 2014 pretendonte se bashkitë e reja, me kapacitet më të madh administrativ dhe financiar, do të shërbenin si magnet zhvillimi për komunitetet rurale. Por faktet tregojnë se 10 vjet pas reformës, 55 nga 61 bashki — pra 90% e territorit — regjistruan rënie të popullsisë sipas Censusit 2023 Rezultati: disa qarqe kanë humbur deri në 28% të popullsisë. Sipas anketave më të fundit  konfirmohet se shpopullimi dita ditës po kthehet në një faktor destabiliteti për krejt shtetin! Ai po rrezikon të ardhmen e vendit dhe po shkatërron ëndrrën e brezave të rinj për të jetuar në atdheun e tyre. Krahas mijëra të rinjve po largohen tashmë shtresat e mesme të biznesit, intelektualëve, specialisteve, si dhe një pjesë dërmuese e fermerëve, blegtorëve dhe shumica e banorëve të zonave rurale. Çdo ditë në ekranet televizivë shqiptarët po shikojnë me dhembje këto ditë përpjekjet e fundit pa shpresë dhe grevat e bujqëve dhe blegtorëve të braktisur në hallet e tyre…!  Mos harrojmë se janë qytetarë, që i duan trojet e tyre, traditat, historinë dhe trashëgiminë e tyre etnokulturore! Braktisja e fshatit dhe krahinave tradicionale është fatale për një komb. Pasi në çdo vend këto shtresa janë rezerva e fundit, janë bazamenti i shoqërisë, rregullatori tregut dhe ekuilibruesi i zhvendosjeve të popullatës!

Qeverisja vendore është vendosur në mënyrë të paramenduar  nën kontrollin e plotë të qeverisë dhe Kryeministrit të vendit, duke përjashtuar kontrollin e këshillave bashkiak dhe të vetë qytetarëve.

 Si kthehen shërbimet te qytetari?

Me tre hapa:

  • rikthim i funksioneve publike pranë komunitetit
  • standarde minimale kombëtare shërbimesh
  • investim real në infrastrukturë dhe ekonomi lokale
  • kthimi i përfaqësimit qytetar.

Ndërkohë, nga ana ligjore Bashkive duhet t’i rikthehet përgjegjësia e drejtpërdrejtë në territorin e juridiksionit të saj për: prodhimin, trajtimin, transmetimin dhe furnizimin me ujë, mbledhjen, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura, mbledhjen dhe largimin e ujërave të shiut , mbrojtjen nga përmbytjet në zonat e banuara. Pa këto, çdo politikë është propagandë.

Pse po kërkohet Reformë e re Territoriale? A është dështuar e vjetra?

-Në vitin 2014, Shqipëria ndërmori një nga ndryshimet më të mëdha administrative në historinë e saj: nga 373 njësi vendore në vetëm 61 bashki. U tha se kjo do të sillte eficencë, kursime, shërbime më të mira, zhvillim të balancuar dhe autonomi fiskale. Pas 10 vitesh, asnjë prej këtyre nuk është arritur, jo vetëm sipas opozitës, por sipas të dhënave të OECD, Komisionit Europian dhe SIGMA. Tre janë fushat kryesore të krizës në fushën e qeverisjes vendore që kemi peshqesh nga Reforma e 2014:

  • Në fushën administrative: Dështimi i reformës së ndarjes administrative dhe territorale.
  • Në fushën politike: Rritja e autoritarizmit dhe goditja e demokracisë vendore.
  • Në fushën e financave publike: Pamjaftueshmëria financiare, përdorimi centralizuar dhe pa kriter i fondeve publike në rajone.

Bashkive duhet t’i rikthehet përgjegjësia e drejtpërdrejtë në territorin e juridiksionit të saj për: prodhimin, trajtimin, transmetimin dhe furnizimin me ujë, mbledhjen, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura, mbledhjen dhe largimin e ujërave të shiut , mbrojtjen nga përmbytjet në zonat e banuara. Pa këto, çdo politikë është propaganda

-Dështimi vjen nga keqqeverisja, apo centralizimi?

-Nga të dyja, por kryesisht nga centralizimi. Edhe aty ku ligji parashikon kompetenca vendore, ato janë kufizuar nga ndërhyrja e qeverisë qendrore.Qeveria u ka rrëmbyer bashkive në mënyrë antidemokratike njësive vendore:

  • Menaxhimin e pronave te bashkive,
  • Përgjegjësitë në menaxhimin e territorit dhe lejeve të ndërtimit.
  • Kompetencat në shërbimet publike në ujë, pastrim duke imponuar tarifa të dyshimta apo të inkriminuara si ato për djegësit e plehrave.
  • Pjesëmarrjen dhe përfitimin e njësive vendore direkt nga programet evropiane

Në këto kushte diskriminimi do të dështonte çdo bashki në botë!

  • Si e vlerësoni ligjin organik të pushtetit vendor?
  • Në krye të deformimit të autonomisë vendore është ligji “Për vetqeverisjen vendore”, i cili në Nenin 13 të tij ka kryer vendosjen e plotë nën kontrollin e qeverisë të aktivitetit të bashkive të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Ligji nuk u shoqërua me financa dhe kapacitete. Funksionet u transferuan tek vendorët, pa burime të mjaftueshme financiare.
  • Kush pengoi kompetencat dhe autonominë financiare?
  • Pengesa kryesore ishte mungesa e vullnetit për decentralizim real. Pa burime financiare, çdo kompetencë është iluzion. Fakti, që 51 bashki mbeten të varura nga transfertat, është prova më e qartë.
  • A duhet reformë e re nëse kompetencat do ishin të plota?
  • Po, sepse problemi nuk është vetëm funksional, por edhe strukturor. Madhësia aktuale e bashkive është pengesë për demokracinë vendore dhe realizimin e shërbimeve pranë qytetarëve.

Mendimi për zmadhimin e bashkive?

  • Do të ishte gabim i dytë. Të dhënat tregojnë, që modeli aktual ka prodhuar:
  • përqëndrim ekstrem në Tiranë (58% e të ardhurave).
  • rritje 187% të të ardhurave në Tiranë kundrejt 74% në bashkitë e tjera.
  • 77% të taksës së infrastrukturës të përqendruar në një qytet.

Zmadhimi do ta thellonte këtë pabarazi.

Madhësia aktuale e bashkive është pengesë për demokracinë vendore dhe realizimin e shërbimeve pranë qytetarëve

Si duhet të jetë reforma ideale?

-Reformë të përsosur ndofta nuk të arrihet, por ajo duhet të jetë një reformë që:

  • afron pushtetin me qytetarin
  • garanton përfaqësim real
  • krijon autonomi financiare
  • ndërton bashkëpunim ndërbashkiak, jo zhdukje komunitetesh

Propozimi ynë është rritja e numrit të bashkive në 100–120, me modele bashkëpunimi si në Francë dhe Itali.

  • Ju falenderoj!