ONE Albania në pikiatë: Kolapsi i perandorisë së Viktor Orbánit trondit tregun shqiptar
Aksionet e 4iG bien 32%, kryeministri i ri hungarez Magyar fut kompaninë në listën e zezë të korrupsionit; ndërsa ONE Albania rrit tarifat, refuzon të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare dhe përgatitet për një shitje të dëshpëruar para se vlera të bjerë në zero…
Rënia e aksioneve të 4iG-së, kompanisë mëmë hungareze që zotëron ONE Albania, me mbi 32% brenda një muaji, nuk është thjesht një lajm financiar. Është sinjali i parë i një efekti domino që kërcënon të përfshijë edhe Shqipërinë.
Pamfleti e parashikoi që do të ndodhte kështu para se të zhvilloheshin zgjedhjet në Hungari.
Kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, ka nisur zyrtarisht goditjen e strukturave të korruptuara të ish-regjimit të Viktor Orbánit, dhe 4iG, kompania e Jászai Gellért, njeriu i besuar i ish kryeministrit është në shënjestër.
Pas deklaratave publike të Magyar, i cili e ka klasifikuar 4iG-në si pjesë e “NER”, rrjetit të institucioneve dhe kompanive private që përbënin shtyllën e sistemit korruptiv të ngritur në Hungari, çmimi i aksioneve të 4iG ka rënë në 2340 forinta, nga 3400 forinta një muaj më parë. Kjo rënie nuk është e zakonshme. Ajo ka një dimension thelbësisht politik dhe penal.
Magyar ka premtuar krijimin e një zyre të posaçme që do të gjurmojë dhe konfiskojë pasuritë e kompanive të lidhura me ish-regjimin. Për 4iG-në, kjo kërcënon të kthehet në një makth ligjor: nëse paratë e investuara për blerjen e ONE Albania klasifikohen si “të ardhura nga korrupsioni”, e gjithë prania e kompanisë në Shqipëri vihet në pikëpyetje.
Modeli i biznesit të 4iG ka qenë gjithmonë i lidhur pazgjidhshmërisht me pushtetin e Orbánit. Siç ka dokumentuar edhe investigimi i Direkt36, kompania mbijeton falë një mekanizmi ku banka shtetërore hungareze (Eximbank) dhe fondet shtetërore i japin para Jászait, dhe ai me të njëjtat para blen kompanitë e shtetit hungarez. Ky rrotullim parash, që i ngjan një skeme Ponzi, do të ndalej menjëherë me ardhjen e një qeverie të re. Dhe tani, me Magyar në krye, rubineti i parave të shtetit hungarez është mbyllur. 4iG ka humbur oksigjenin.
Në këtë kolaps, ONE Albania bëhet një nga asetet e para që duhet shitur për likuiditet. Por problemi është: kush do të blejë një operator celular që ka refuzuar të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare në operacionin “Ghost Call”; atë të zbulimit të call center-ave mashtrues që zhvatnin miliona euro nga qytetarët evropianë?
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, ONE Albania ka vonuar dhe kufizuar përgjigjet ndaj kërkesave të policisë, duke rrezikuar të pengojë hetimet. Ky është një fakt i dokumentuar gjyqësor.
Rënia e aksioneve të 4iG në bursë është vetëm fillimi. Tregu tashmë po vë bast kundër Jászait. Dhe kur kompania mëmë shembet, filiali në Tiranë nuk mund të qëndrojë më vete.
ONE Albania ka njoftuar se nga 1 maj 2026 do të rrisë tarifat celulare deri në 2.2%, duke justifikuar lëvizjen me inflacionin. Por abonentët e dinë të vërtetën: rritja nuk vjen nga inflacioni, por nga dëshpërimi. ONE po përpiqet të sigurojë likuiditet para se të jetë tepër vonë.
Ndërkohë, në Tiranë, ekuilibri politik po ndryshon. Sot, kryeministri Edi Rama mbron ONE Albania sepse ka një marrëveshje publike me Viktor Orbánin, të nënshkruar në tetor 2024, ku Hungaria i jep Shqipërisë ndihmë dhe investime 350 milionë euro. Por kur Orbán bie, Rama nuk ka më asnjë interes të mbrojë një aleat të rënë. Përkundrazi, ai do të distancohet shpejt, do ta quajë çështjen “të një investitori privat” dhe do t’i lërë autoritetet shqiptare të veprojnë. Kjo është logjika e pastër e pushtetit.
Rasti i ONE Albania nuk është thjesht një histori e një investimi të dështuar. Është një simbol i gjithë arkitekturës së pushtetit të Orbánit në Ballkan. Kur bie Orbán, bie e gjithë kjo ndërtesë. Aksionet e 4iG shemben, hetimet në Hungari zgjerohen, dhe ONE Albania bie në pikiatë duke pritur një blerës që nuk dihet nëse do të vijë, duke rritur tarifat për të mbijetuar, dhe duke u përballur me një të ardhme gjithnjë e më të pasigurt./Pamfleti

