BotaOpinion

Çështja e shtetësisë automatike në SHBA po shkon drejt një vendimi final

Pothuajse 1 në 10 foshnje të lindura në SHBA janë nga nëna pa dokumente, tregojnë sondazhet, ndërsa Trump shtyn administratën e tij për reforma

Përgatiti Beqir SINA

Më 1 prill 2026, Presidenti Donald Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe mori vend në sallën e Gjykatës së Lartë të SHBA-së për të ndjekur personalisht seancën e argumenteve orale në çështjen “Trump v. Barbara”. Ky veprim historik, i pari për një president në detyrë, nxori në qendër të vëmendjes urdhrin ekzekutiv që ai nënshkroi në ditën e parë të mandatit të dytë, më 20 janar 2025, me titull “Mbrojtja e Kuptimit dhe Vlerës së Shtetësisë Amerikane”.

Urdhri udhëzon agjencitë federale të mos njohin automatikisht shtetësinë amerikane për fëmijët e lindur pas 20 shkurtit 2025, nëse nëna ishte në SHBA pa status ligjor ose me qëndrim të përkohshëm (si vizë turisti, studenti apo pune), dhe babai nuk ishte qytetar amerikan ose rezident i përhershëm ligjor.

Administrata Trump argumenton se Amendamenti i 14-të i Kushtetutës, që thotë se “të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe të nënshtruar ndaj juridiksionit të saj janë qytetarë”, nuk zbatohet për këta fëmijë, sepse prindërit e tyre nuk kanë “juridiksion të plotë”.

Menjëherë pas nënshkrimit, organizata si ACLU dhe grupe të tjera për të drejtat e njeriut ngritën padi, duke e cilësuar urdhrin kundërkushtetues. Gjykatat e shkallës së ulët e bllokuan atë, duke u mbështetur në precedentin historik të rastit Wong Kim Ark të vitit 1898 dhe në interpretimin e gjatë të shtetësisë nga lindja.

Çështja u certifikua si klasë kombëtare, duke mbrojtur potencialisht mijëra fëmijë. Tani, Gjykata e Lartë po shqyrton apelin e qeverisë.

Gjatë seancës dy-orëshe të 1 prillit, disa gjyqtarë përfshirë ata të emëruar nga Trump shprehën skepticizëm ndaj interpretimit të ri të administratës. Debati u përqendrua te kuptimi historik i frazës “subject to the jurisdiction thereof”.

Avokatët e qeverisë theksuan se urdhri bazohet në fakte të verifikueshme të statusit të imigracionit dhe synon të ndalojë abuzime si “turizmi i lindjes”, ku familje të huaja vijnë posaçërisht për të siguruar shtetësi për fëmijët.

Nga ana tjetër, kundërshtarët paralajmëruan se një ndryshim i tillë do të krijonte pasiguri për shtetësinë e miliona amerikanëve dhe do të minonte themelet kushtetuese të vendit.

Reagimet publike pasqyrojnë ndarjen e thellë në shoqërinë amerikane.

Mbështetësit e Trump-it e mirëpritën nismën si hap të nevojshëm për të mbrojtur vlerën e shtetësisë dhe për të luftuar imigracionin e paligjshëm.

Kritikët, duke përfshirë ACLU-në, e panë atë si sulm ndaj një parimi themelor amerikan: premtimi i mundësive të barabarta për të gjithë të lindur në tokën amerikane.

Presidenti Trump vetë reagoi në Truth Social: “Ne jemi i vetmi vend në botë aq i ‘budalla’ sa të lejojë shtetësinë nga lindja pa kufizime.”

Ky rast ka jehonë edhe për komunitetin shqiptar në SHBA.

Shumë familje nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni kanë ardhur me viza afatgjata ose të përkohshme. Disa prej tyre kanë zgjedhur të lindin fëmijë në territorin amerikan, duke shpresuar në shtetësinë automatike që mund të lehtësojë bashkimin familjar në të ardhmen. Nëse Gjykata e Lartë miraton pozicionin e administratës, këto plane mund të ndryshojnë rrënjësisht.

Analistët vlerësojnë se vendimi do të prekë jo vetëm politikat e imigracionit, por edhe konceptin e identitetit amerikan.

Vendimi final pritet në fund të qershorit ose fillim të korrikut 2026.

Nëse Gjykata miraton urdhrin, ai do të shënonte një ndryshim historik në interpretimin e Amendamentit të 14-të dhe do të forconte politikën e ashpër të imigracionit të Trump-it. Nëse e rrëzon, parimi klasik i shtetësisë nga lindja do të vazhdojë të zbatohet siç është bërë për më shumë se një shekull.

Sipas ekspertëve të këtyre çështjeve thuhet se pavarësisht rezultatit, çështja “Trump v. Barbara” teston kufijtë e pushtetit ekzekutiv përballë Kushtetutës dhe thellësinë e angazhimit për reformën e imigracionit.

“Prania fizike e Presidentit në Gjykatë mbetet një simbol i rrallë në historinë e demokracisë amerikane, që fton çdo qytetar të reflektojë mbi kuptimin e vërtetë të shtetësisë në një shoqëri të ndërtuar nga emigrantë”.

Që nga ditët e para të mandatit të tij të dytë si president, Donald Trump ka kundërshtuar një të drejtë kushtetuese që ai thotë se është shfrytëzuar për shumë kohë – atë që ai e quan “Shtetësi e së Drejtës së Lindjes”.

“Kishte të bënte me foshnjat e skllevërve dhe mbrojtjen e foshnjave të skllevërve në atë kohë. Nuk kishte të bënte me mbrojtjen e multimilionerëve dhe miliarderëve që dëshironin që fëmijët e tyre të merrnin një shtetësi amerikane”, tha Trump nga Zyra Ovale më 31 mars të këtij viti.

Amendamenti i 14-të përcakton se të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara janë shtetas amerikanë. Urdhri Ekzekutiv i presidentit që sfidon ligjin dhe qëllimet e tij ka arritur në Gjykatën Supreme, me argumente gojore që tashmë janë dhënë dhe pritet vendimi i Gjykatës Supreme.