OpinionPolitikë

Prof.Dr. Kristaq Kume: Tre rrugë për reformën zgjedhore, mes përfaqësimit politik, përfaqësimit të qytetarëve dhe stabilitetit në qeverisje

Prof.Dr. Kristaq Kume
“Nder i Kombit”

Reforma zgjedhore nuk duhet të jetë një ushtrim aritmetik apo një marrëveshje e ngushtë politike. Për këtë arsye, zgjedhja e sistemit duhet të bëhet me kujdes, me transparencë dhe nëpërmjet një debati të gjerë publik. Demokracia nuk matet vetëm me përqindje, por, me shumë se me çdo gjë tjetër, matet me ndjesinë e çdo qytetari se zëri i tij dëgjohet,  pavarësisht ku banon, në Tiranë, Kukës apo Gjirokaster, me besim ne institucionet që formohen nëpërmjet votës së tij.

Debati për reformën zgjedhore po përfshin  përherë e më shumë edhe problemin e sistemit zgjedhor sipas të cilit duhet të zhvillohen zgjedhjet për Kuvendin.  Sistemi aktual, i përcaktuar në Kushtetutë, është Propocional Rajonal dhe zgjedhjet   zhvillohen me lista të hapura në jo më pak se 2/3 e saj.  Për zbatimin e tij, Kodi zgjedhor ka përcaktuar ndarjen e vendit,  pëër efekt të zgjedhjeve të përgjithshme politike, në 12 njësi zgjedhore, koresponduese të 12 qarqeve të vendit. Kodi përcakton se 1/3 e sipërme e listës së kandidatëve është e fiksuar dhe nuk i nënshtrohet votimit me votë parapëlqyese.

Zgjidhjet e mundëshdëm për sistemin zgjedhor janë të shumta. Shumë prej tyre gjatë këtyre 35 vjetëve të ushtrimit të demokracisë janë provuar tashmë edhe në realitetin shqiptar. Ndërkohë rezultatet e marra, në asnjë rast nuk kanë arritur të vlerësohen, në veçanti prej aktorëve politik, si më të mirat e mundëshme në kushtet e vendit tonë. Problemi i sistemit ka qenë pjesë e ndryshimeve të shpeshta në legjislacionin tonë, ndryshime të cilat nuk kanë arritur të japin zgjidhjen që i përshtatet më mirë kushteve politike, ekonomike, kulturore e sociale në vendin tonë. Ndaj dhe diskutimi për sistemin zgjedhor natyrshëm është duke u përfshirë në diskutimet në kuadër të reformës zgjedhore. Në mbështetje dhe si pjesë e këtij diskutimi, mund të përdoren edhe mendimet e shprehura për tre nga sistemi zgjedhorë që mund të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë:

Opsioni i parë: Parti të opozitës kanë propozuar që sistemi për zgjedhjet parlamentare të jetë sistem propocional kombëtar, me lista plotësisht të hapura.

Opsioni i dytë: Sistem i përzier mazhoritar, me korrigjim propocional, me 100 zona njëemërore dhe 40 mandate kompensuese që votohen me listë plotësisht të hapur.

Opsioni i tretë: Opsion i propozuar, i dërguar edhe në Kuvendin Shqipërisë, është Sistemi proporcional rajonal, me katër rajone zgjedhore dhe lista plotësisht të hapura.

Ndër këto tre opsione dy të parët kërkojnë që të bëhen ndryshime në Kushtetutën e vendit. Opsion i tretë mund të realizohet vetëm me ndryshimet që duhet të vihen në Kodin zgjedhor.

Për secilin nga këta tre opsione, duhet të thuhet se, nuk e mbyllin, por përkundrazi e hapin mundësinë për të zgjeruar diskutimin, për të përfshirë edhe variante të tjera për sistemin zgjedhor që duhet të zbatohet në kushtet e vendit tonë. Të tre sistemet e mësipërme kanë secili përparësitë dhe dobësitë e veta. Natyrisht peshat e njerës apo tjetrës përparësi ose dobësi, ndryshon nga njeri sistem në tjetrin. Për rrjedhojë, perzgjedhja e njeri apo tjetrit nga këto tre sisteme duhet të bëhet duke i vendosur përballë njera tjetrës këto përparësi dhe dobësi me objektivat dhe synimet, që kemi si një shoqëri dëshëron dhe synon të vetëqeveriset sipas parimeve dhe rregullave të shoqërive demokratike. Në këto kushte pyetja kryesore që mund të jetë edhe strumullari i të gjithë diskutimit është:

Cili nga sistemet e mësipërme arrin të realizojë një balancë më të drejtë, më efektive dhe më funksionale votës të pa tjetërsuar nga efekti i shpërndarrjes së saj të territorit, i cili mundëson balancë me propocionale midis vullnetit të qytetarve të shprehur në kutinë e votimit dhe përfaqësimit te vullneti politik të tyre Kuvend dhe cili sistem bënë të mundur stabilitetin në qeversjen e vendit?

Proporcionali kombëtar: drejtësi e lartë në përfaqësimin politik, por me efekt të ndjeshëm, të ndikuar nga territori, në përfaqësimin e qytetarve në Kuvend

Modeli me një zonë të vetme kombëtare dhe lista plotësisht të hapura ofron një avantazh të pamohueshëm: çdo votë ka peshë të barabartë. Në një skenar realist, një parti me 44% të votave përkthehet në rreth 62 mandate nga 140, një tjetër me 33% merr 46 mandate, dhe partitë më të vogla përfaqësohen në përpjesëtim me mbështetjen elektorale të tyre. Natyrisht në mundësinë e madhe që ka ky sistem për të realizuar një produkt me cilësi shumë të mira në përfaqësimin politik, faktor i rëndësishëm është pragu që do të vendoset. Kështu p.sh në rast se pragu vendoset 5 përqind, sa është vlera e tij në Kosove ku zbatohet po ky sistem për zgjedhjet e përgjithshme politike, mundësitë për përfaqësimin në Kuvend për partitë e vogla zvogëlohen në mënyrë të ndjeshme.

Ndërkohë duhet të theksohet se drejtësia e lartë në përfaqësimin politik që mundëson ky sistem shoqërohet me një dobësi serioze. Kjo dobësi shkaktohet nga fakti se ndarja e mandateve midis kandidatëve parashikohet të bëhen duke u mbështetur në numrin e votave parapërlqyese që fitojnë. Kjo bënë që përfaqësimi i qytetarëve në Kuvend të ndikohet ndjeshëm nga përkatësia e tyre në territor, e cila shoqërohet me diferenca të mëdha në numrin e zgjedhjeve që banojnë në territore të ndryshme të vendit.  Në praktikë, kandidatët nga zonat më të mëdha – Tirana, Durrësi, Fieri – kanë avantazh të qartë në votat preferenciale. Ndërsa zona si Kukësi, Dibra apo Gjirokastra mund të mbeten me përfaqësim minimal ose edhe zero, pavarësisht se votuesit e tyre marrin pjesë në mënyrë aktive në proces.

Nga ana tjetër, sistemi propocional kombëtar duke mundësuar përfaqësimin politik sa më të mirë propocional në Kuvend, krijojnë mundësitë për të patur qeveri jo stabile. Mund të ndodhë që fati i mazhorancës qeverisëse të jetë në dorë të vendimeve që mund të marrin një ose disa parti të vogla. Skenari politik i Kosovës, i mbizotruar nga zgjedhje të përsëritura brenda një kohe të shkurtër, në parim është plotësisht i mundur për të ndodhur edhe në Shqipëri. Kjo duhet të mbahet parasysh. Vendimi politik në favor ose jo të këtij sistemi duhe të bëhet edhe duke ju referuar vlerësimeve për këtë dobësi që atë e shoqëron këtë sistem.

Modeli me një zonë të vetme kombëtare dhe lista plotësisht të hapura ofron një avantazh të pamohueshëm: çdo votë ka peshë të barabartë. Në një skenar realist, një parti me 44% të votave përkthehet në rreth 62 mandate nga 140, një tjetër me 33% merr 46 mandate, dhe partitë më të vogla përfaqësohen në përpjesëtim me mbështetjen elektorale të tyre.

Kërkesa e përsëritur e PD për të rikthyer në garën zgjedhore koalicionet parazgjedhore, sipas të cilit partitë politike pjesëmarrëse në një koalicion do të garojnë secila me listën e saj të kandidatëve, është mundësi që përmirëson nivelin e konvertimit të votave në mandate dhe që në të njejtën kohë, e çliron PD nga detyrimi për të përfshirë në listën e kandidatëve të saj , kandidatë të partive të tjera, pjestare në koalicion. Ky është një moment që partitë e vogla kur shprehen dakort për këtë sistem, duhet ta trajtojnë me kujdes këtë moment.

Sistemi i përzier: stabilitet dhe përfaqësim lokal, por me efekt të ndjeshëm në proporcionalitin e përfaqësimit

Opsioni 100 deputetë në zona një emërore dhe 40 mandate kompensuese të listës së hapur kombëtare synon të ndërthurë përfaqësimin lokal me një korrigjim proporcional. Në letër, ai duket si kompromis i arsyeshëm: çdo zonë ka deputetin e vet, ndërsa vota kombëtare nuk injorohet plotësisht. Partitë e vogla që, si rregull nuk fitojne mandate në garën mazhoritare, mund të arrijnë të përfaqësohen me deputet në Kuvend si pasojë e fuqisë elektorale kombëtar të tyre. Kur do të arrijnë të kalojnë pragun prej 2.5 përqind të votave, prag që kushtëzohet nga numri 40 i kandidatëve në listën korrektuese kombëtare, këto parti do të përfaqësohen me deputet të tyre në Kuvend.

Simulimet për rezultate të mundëshme që mund të arrihen nga zbatimi i këtij sistemi të përzier, tregojnë se ky sistem mbetet thelbësisht i anuar nga logjika mazhoritare. Në një skenar realist, një parti me 44% të votave mund të fitojë rreth 65 mandate, duke marrë një bonus të lehtë. Por në një skenar më ekstrem, jo i pamundur në praktikë, e njëjta parti mund të fitojë deri në 80 nga 100 zonat, vetëm pse kandidatët e saj, në shumë zona njëmerore, fitojnë mandatin sepse arrijnë të fitojnë qoftë edhe një votë më shumë se kandidatët e tjerë. Në këtë rast, edhe pas shpërndarjes së 40 mandateve korrektuese kombëtare, rezultati përfundimtar deformohet ndjeshëm: një parti me 44% të votave mund të kontrollojë rreth 57% të mandateve. Përfaqësimi në Kuvend i partive të vogla reduktohen ndjeshëm.

Ky model garanton lidhje të fortë deputet–zonë dhe stabilitet qeverisës, por rrezikon të prodhojë shumica artificiale dhe të dobësojë barazinë e votës.

Proporcionali rajonal, me katër rajone zgjedhore: kompromisi praktik brenda Kushtetutës

Opsioni i tretë – ndarja e vendit në katër rajone zgjedhore – paraqitet si një rrugë e ndërmjetme më pragmatike. Në këtë model, mandatet ndahen brenda rajoneve (p.sh. verior, Tiranë, qendror, jugor), duke ruajtur logjikën proporcionale, por duke e lidhur atë me territorin.

Simulimet tregojnë se shpërndarja përfundimtare e mandateve mes partive mbetet e afërt me shpërndarjen që arihet nëse zbatohet sistemi proporcionalin kombëtar. Megjithatë, ndryshimi qëndron te përfaqësimi: rajone si veriu apo jugu përfaqësohen me një numër të caktuar mandatesh, çka rrit ndjeshëm gjasat që zona si Kukësi, Dibra apo Gjirokastra të kenë përfaqësues të tyre në Kuvend.

Ky sistem nuk kërkon ndryshime kushtetuese dhe arrin të balancojë në mënyrë të arsyeshme dy objektiva shpesh në konflikt: barazinë e votës dhe përfaqësimin territorial. Disavantazhi i tij kryesor është një devijim i lehtë nga proporcionaliteti i pastër.

Tre modele, tre filozofi

Në thelb, zgjedhja mes këtyre tre opsioneve nuk është vetëm teknike, por politike dhe filozofike.

Proporcionali kombëtar vendos në qendër barazinë e votës dhe konkurrencën mes partive. Sistemi i përzier thekson përfaqësimin lokal dhe stabilitetin qeverisës edhe me koston e shtrembërimit të rezultatit. Ndërsa modeli rajonal, me katër rajone zgjedhore,  përpiqet të ndërtojë një urë mes këtyre dy logjikave, duke ruajtur proporcionalitetin dhe duke garantuar një minimum përfaqësimi territorial.

Në kushtet e Shqipërisë, me dallime të forta mes qendrës dhe periferisë dhe me një nevojë të vazhdueshme për besim në procesin zgjedhor, një sistem që prodhon një Kuvend të balancuar jo vetëm politikisht, por edhe gjeografikisht, duket më i përshtatshëm.

Reforma zgjedhore nuk duhet të jetë një ushtrim aritmetik apo një marrëveshje e ngushtë politike. Rezultat i saj duhet të jetë një vendim për mënyrën me të mirë të përfaqësimit të qytetarëve dhe për funksionimin  efektiv në praktikë të demokracisë. Për këtë arsye, zgjedhja e sistemit duhet të bëhet me kujdes, me transparencë dhe nëpërmjet një debati të gjerë publik. Demokracia nuk matet vetëm me përqindje, por, me shumë se me çdo gjë tjetër, matet me ndjesinë e çdo qytetari se zëri i tij dëgjohet,  pavarësisht ku banon, në Tiranë, Kukës apo Gjirokaster, me besim ne institucionet që formohen nëpërmjet votës së tij.