Banorët e Rrjollit heqin telat, futen në kantier: Kështu do bie shteti
Banorët e Rrjollit janë rikthyer në protestë kundër ndërtimit të resortit luksoz në zonë, të zhvilluar nga kompania “Gener 2”, e lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj. Sipas protestuesve, projekti po zhvillohet në një sipërfaqe rreth 147.2 hektarësh dhe ka vijuar pavarësisht pretendimeve të tyre se pronësia e tokës është ende objekt procesesh gjyqësore, duke shkaktuar tension të vazhdueshëm në zonë.
Situata është përshkallëzuar kur banorët kanë shembur një pjesë të rrethimit të kantierit, i cili ishte forcuar ditët e fundit me mure të larta dhe tela me gjemba, dhe kanë depërtuar brenda zonës ku po punohet me makineri ndërtimi. Një banor dëgjohet të thotë: Kështu do bie dhe shteti! Gjatë përplasjes, ata janë konfrontuar me efektivët e policisë, ndërsa në terren nuk është raportuar prani e sigurisë private si në protesta të mëparshme.
Protestuesit akuzojnë se toka u është marrë në mënyrë të padrejtë përmes dokumenteve të kontestuara dhe kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Gjatë tubimit, disa prej tyre kanë thirrur edhe slogane politike si “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Edi Rama jep dorëheqjen”, ndërsa kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në ndalimin e projektit dhe hapjen e dialogut me autoritetet.

