Aktualitet

Denar Biba, mburoja e tarifave dhe shërbimit skandaloz të “ONE Albania”

Arroganca e pushtetit duket se po reflektohet gjithnjë e më shumë edhe te drejtuesit e institucioneve të pavarura. Një prej tyre është Denar Biba, i cili pas angazhimit në KQZ, mori drejtimin e Autoritetit të Konkurrencës në vitin 2021.

Gjatë kësaj periudhe, institucioni që ai drejton është akuzuar shpesh se ka mbyllur sytë përballë ankesave të qytetarëve dhe problemeve në treg. Së fundmi, Biba ka shkaktuar debat edhe për qëndrimet e tij ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke deklaruar se kërkesat e KLSH-së për dokumente cenojnë pavarësinë e institucionit.

Po ashtu, ai ka kërkuar zgjerim të kompetencave të Autoritetit të Konkurrencës, duke përmendur edhe mundësinë e përdorimit të metodave hetimore që sot i kanë organet ligjzbatuese.

Një nga rastet që ka ngjallur më shumë polemika lidhet me kompaninë One Albania. Pavarësisht problemeve të raportuara nga klientët për shërbimin dhe rritjen e tarifave, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka konstatuar shkelje. Në disa dalje publike, Biba ka mbrojtur qëndrimin e kompanisë, duke argumentuar se ndryshimet e çmimeve parashikohen në kontratat e nënshkruara nga abonentët.

Kritikët e tij e konsiderojnë këtë qasje si tolerante ndaj operatorëve të mëdhenj ekonomikë, ndërsa auditimet e KLSH-së kanë evidentuar problematika në funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës. Kjo ka shtuar debatet mbi mënyrën se si institucioni ushtron rolin e tij në mbrojtje të konkurrencës dhe konsumatorëve.