Bota

BE, hap drastik: Do ndalohen sistemet e AI që gjenerojnë foto të rreme me sfond intim

Bashkimi Europian pranon të ndalojë sistemet e inteligjencës artificiale që krijojnë foto të rreme nudo, në vazhdën e indinjatës globale që kanë shkaktuar imazhet jo konsensuale të prodhuara nga chatbot-i i Elon Musk, Grok.

“BE-ja vendosi sot një vijë të kuqe. Inteligjenca artificiale kurrë nuk duhet të përdoret për të turpëruar, shfrytëzuar apo rrezikuar njerëzit. Për herë të parë, legjislacioni i BE-së ndalon në mënyrë specifike aplikacione të përdorura për situata denigruese“, tha Michael McNamara-eurodeputet nga Irlanda.

Nisma pason polemikat e mëdha që ka ngjallur muajt e fundit një funksion i ri i Grok, i cili u lejonte përdoruesve të krijonin imazhe të rreme nudo të të rriturve dhe fëmijëve duke përdorur baza nga fotografi reale, pa miratimin e personave që shfaqeshin në foto.

Pak ditë më parë edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni denoncoi publikisht fotografi të rreme gjoja intime të krijuara me inteligjencë artificiale, duke i cilësuar këto deepfake si një “mjet tejet të rrezikshëm”.

Ndalimi i ri tani do të përfshihet në ndryshimet e rregullave gjithëpërfshirëse të BE-së mbi inteligjencën artificiale, të miratuara në vitin 2024.

Modelet e AI-së kanë qenë nën një shqyrtim të kujdesshëm javët e fundit në bllokun europian, pasi zhvilluesi amerikan i inteligjencës Artificiale, Anthropic, kufizoi publikimin e Mythos, model për të cilin kompania vetë shqetësohet se mund të shërbejë si mundësi për hakerët.

Tridhjetë deputetë nga grupe të ndryshme politike i bënë thirrje Brukselit të rishikojë rregullat e tij për sigurinë kibernetike në një letër drejtuar të hënën ekzekutivit të BE-së.