“Shteti pasurohet, qytetarët vuajnë”, Xhaferri ‘shpërthen’ ashpër: Çmimet kontrollohet nga vetë qeveria përmes..
Opozita ka akuzuar ashpër qeverinë në seancë parlamentare, duke e cilësuar propozimin e saj për uljen e taksës së karburantit si “propagandë fiskale” që nuk i vjen në ndihmë qytetarëve. Sipas opozitës, qeveria përfiton nga kriza, duke u pasuruar ndërkohë që familjet shqiptare varfërohen nga çmimet e larta.
Propozimi i qeverisë parashikon një ulje prej 20% të akcizës, por vetëm në rast se çmimi i karburantit e kalon nivelin 2,200 lekë për litër. Deputeti Besart Xhaferri tha gjatë fjalës në Kuvend se “edhe në këtë rast, lehtësimi real është minimal, rreth 80 lekë të vjetra për litër. Kjo masë është quajtur absurde, pasi çmimi kontrollohet nga vetë qeveria përmes Bordit të Transparencës, duke krijuar një mekanizëm që më shumë shërben për të krijuar “iluzionin e ndihmës” sesa për të ofruar një zgjidhje reale.
Si alternativë, opozita ka paraqitur një propozim konkret që synon një ulje të menjëhershme dhe të ndjeshme të çmimit. Propozimi përfshin uljen drastike të taksës së qarkullimit nga 270 lekë në vetëm 7 lekë për litër, duke e kthyer atë në nivelin e vitit 2013. Gjithashtu, propozohet një model automatik ku çdo e ardhur shtesë që shteti arkëton nga TVSH-ja për shkak të rritjes së çmimeve, t’u kthehet menjëherë qytetarëve përmes uljes së akcizës. Sipas përllogaritjeve, kjo masë do të sillte një ulje të çmimit me rreth 350 lekë për litër.
Besart Xhaferri: Të nderuar qytetarë, të nderuar kolegë deputetë. Sot nuk po diskutojmë thjesht për një taksë. Sot po diskutojmë për bukën e familjeve shqiptare. Po diskutojmë për fermerin që nuk përballon dot naftën për të punuar tokën. Për biznesin e vogël që po mbytet nga kostot. Për pensionistin që sheh çdo ditë si i pakësohet pensioni nga rritja e çmimeve. Dhe mbi të gjitha po diskutojmë për një qeveri që në kohë krize zgjedh të fitojë më shumë, ndërsa qytetarët varfërohen më shumë. Qeveria sot vjen këtu me një propozim që në pamje të parë duket si ndihmë ndaj qytetarëve. Por në realitet është vetëm propagandë fiskale. Sipas projektit të propozuar, akciza e karburantit ulet me 20%, por vetëm kur çmimi kalon nivelin 2200 lekë për litër. Dhe edhe atëherë, ulja reale është vetëm 80 lekë të vjetra për litër. Pra, qytetarëve u thuhet, prisni derisa çmimi të shpërthejë plotësisht e pastaj do t’ju japim një lehtësim minimal. Po nëse çmimi është 2199 lekë? Po nëse arrin 2500 lekë? A ndryshon diçka? Jo, aspak.
Ky është absurdi i këtij modeli, sepse çmimi praktikisht e kontrollon vetë qeveria përmes bordit të transparencës. Pra, kemi të bëjmë me një mekanizëm të ndërtuar jo për të ndihmuar qytetarët, por për të krijuar iluzionin e ndihmës. Dhe ndërkohë çfarë ndodh? Sa më shumë rritet çmimi i karburantit, aq më shumë fiton shteti nga TVSH-ja.
Pra, në një kohë kur qytetarët vuajnë, shteti pasurohet. Ky nuk është solidaritet. Kjo nuk është përgjegjësi. Kjo është padrejtësi. Ndaj ne kemi sjellë një alternativë reale. Ne propozojmë uljen e taksës së qarkullimit nga 270 lekë në vetëm 7 lekë për litër, duke e kthyer në nivelin që ishte në 2013-ën. Por mbi të gjitha, ne propozojmë një model të drejtë dhe automatik. Çdo tepricë që shteti fiton nga TVSH-ja për shkak të rritjes së çmimit, të kthehet menjëherë tek qytetarët përmes uljes së akcizës. Ky model zbatohet sot në Itali. Ky model zbatohet edhe në Gjermani, ku u deklarua se ka taksat më të larta, megjithëse ka të ardhura për frymë katër herë më të larta se në Shqipëria. Pra, nuk po shpikim asgjë. Po kërkojmë vetëm drejtësi fiskale dhe aspak propagandë fiskale. Nëse shteti fiton më shumë nga kriza, atëherë qytetari duhet të paguajë më pak. Kjo është logjika e një qeverie normale. Kjo është logjika e një shteti që mendon për njerëzit. Dhe efekti është i menjëhershëm. Ulje e çmimit të karburantit me rreth 350 lekë për litër. 350 lekë më pak për transportin. 350 lekë më pak kosto për fermerin. 350 lekë më pak harxhim për çdo familje shqiptare.
Kolegë deputetë, karburanti nuk është luks në Shqipëri. është domosdoshmëri. Nga çmimi i tij varen çmimet e ushqimeve, e transportit, prodhimit, por dhe jetës së përditshme. Kur rritet karburanti, rritet gjithçka. Dhe kur qeveria nuk vepron, paguajnë qytetarët. Prandaj sot secili prej nesh duhet të zgjedhë. Do të votojmë për propagandën apo për zgjidhjen? Për fasadën apo për qytetarin? Ne zgjedhim qytetarin shqiptar. Zgjedhim familjet që po luftojnë çdo ditë me çmimet. Zgjedhim drejtësinë ekonomike. Prandaj dhe ju ftojmë ta mbështesni këtë nismë. Opozita shqiptare lufton për politika, nuk lufton ndaj individëve privatë. Sepse ne besojmë se monopoli më i madh që ekziston në Shqipëri është qeveria. Është ajo që vendos me një të rënë të lapsit sa taksa do marri. Ajo është monopol, ajo nuk ka garë. Ajo është politikë siç e përmendi një koleg këtu më parë. Sa për tregun, nëse ndodh monopol aty dhe ndodh kontrabandë, ndodh ëh praktika të gabuara të operatorëve në treg, është është përsëri përgjegjësi e kësaj qeverie. Dhe ne nuk i fshihemi as t’i përmendim dhe as të merremi me ta. Po ju nuk na detyroni në cilin rend ne do merremi. Ne në rendin që do merremi, në vend të parë kemi politikat që vetë kjo qeveri po vendos.
Dhe për këtë arsye po sjellim këtë zgjidhje. Dhe pasi kjo zgjidhje patjetër që duhet implementuar një orë e më parë, do futemi do analizojmë dhe çdo shkelës të tregut dhe të ligjeve që duhet të ketë një treg të lirë. Dhe meqënëse kam dhe disa minuta, është e vërtetë që në Shqipëri sot 44.7% e familjeve jetojnë në varfëri gati ekstreme. Në varfëri që nuk mbyllin dot muajin. Në varfëri që kequshqehen, që nuk kanë çati mbi kokë, që nuk kanë akomodim dhe nuk kanë asgjë tjetër. Por unë dua t’ju sjell pikërisht nga kjo sallë një rast të 40 familjeve, të cilat kanë pas jetuar në shtëpitë e ndërtuara me djersën e tyre. Në fund të bulevardit dhe aty ku duhet të kishte vazhduar ai bulevard. Në 16 prill të 2019-ës, këtyre familjeve ju prishen shtëpitë. Janë bërë shtatë vite. Por këto 40 familje, ndryshe nga të gjithë familjet e tjera, nuk janë shpronësuar, nuk ju është dhënë bonus qeraje për t’u akomoduar diku. Dhe mbi të gjitha, sot vuajnë varfërinë ekstreme…

