Dita e Europës, Antonio Costa mesazh shqiptarëve: E ardhmja juaj është në BE
Në Ditën e Europës, Presidenti i Këshilit Europian, Antonio Costa, i është drejtuar me një mesazh qytetarëve shqiptarë duke theksuar se ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.
“Të dashur qytetarë të Shqipërisë, po ju drejtohem sot si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Europian. Në Ditën e Europës ne festojmë projektin tonë të përbashkët europian, ku anëtarët tanë themelues zgjodhën unitetin mbi përçarjen dhe bashkëpunimin mbi konfliktin. Ata vendosën të ndërtojnë një të ardhme në paqe, liri dhe prosperitet mbi hirin e Luftës së Dytë Botërorë. Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Europian.”
Kosta vlerësoi reformat që ka ndërmarrë vendi ynë për integrimin në Bashkimin Europian.
Mesazhe për Ditën e Europës dhanë edhe liderët e tjerë europianë, si Presidentja e Komisionit Ursula Von der Leyen dhe Shefja e Politikës së Jashtme, Kaja Kallas. Qëndrimet e tyre u fokusuan tek liria dhe vlerat demokratike.
Dita e Europës është festa që shënon bashkimin e popujve europianë dhe paqen mes tyre. Kjo datë lidhet me deklaratën historike të bërë nga ministri i Jashtëm francez Robert Schuman më 9 maj 1950 që i hapi rrugë themelimit të Bashkimit Europian. Ai propozoi që vendet europiane të bashkëpunojnë ekonomikisht dhe politikisht për të shmangur luftërat e ardhshme pas Luftës së Dytë Botërore.

