Aktualitet

Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003” proteston në Fier: Rrezikohen garat ndërkombëtare

Anëtarët e shoqatës “Pëllumbat e Postës 2003” zhvilluan sot një protestë në Fier, duke ngritur shqetësimin se po pengohen të marrin pjesë në garat ndërkombëtare jashtë vendit.

Sipas përfaqësuesve të shoqatës, problemi lidhet me një shkresë zyrtare të dërguar nga KOKSH pranë doganave, ku thuhet se anëtarët e kësaj shoqate nuk mund të zhvillojnë aktivitete ndërkombëtare pa u regjistruar pranë federatës përkatëse.

Ata deklaruan se janë një shoqatë e njohur ndërkombëtarisht, me eksperiencë shumëvjeçare në organizimin dhe pjesëmarrjen në gara kombëtare e ndërkombëtare në Ballkan dhe vende të ndryshme të Europës. Sipas tyre, sportistët udhëtojnë rregullisht me automjete dhe kafaze transporti drejt vendeve ku zhvillohen aktivitetet sportive, për t’u rikthyer më pas normalisht në Shqipëri.

Anëtarët e shoqatës hodhën akuza edhe ndaj Ramazan Gjylës dhe Gazmir Feimit, duke pretenduar se përmes ndikimit pranë Fidel Yllit që është president i KOKSH-it po pengohet pjesëmarrja e tyre në gara ndërkombëtare. Sipas tyre, qëllimi është që sportistët e këtij aktiviteti të vendosen nën varësinë e një federate të caktuar kundrejt pagesave financiare.

Anëtarët e shoqatës thanë gjithashtu se disa javë më parë janë përballur me probleme në kufirin me Kroacinë, ku u është bllokuar kalimi për shkak të kësaj situate administrative.

Ata theksuan se shoqata renditet ndër më të mirat në botë për rezultatet sportive, ndërsa kundërshtojnë detyrimin për regjistrim në federatë, duke argumentuar se funksionojnë si organizatë e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht.

Një prej anëtarëve deklaroi se gjatë ditës së sotme do të nisen drejt një gare ndërkombëtare me kamionë dhe pajisje sportive, por paralajmëroi se nëse do të pengohen sërish në doganë, situata mund të tensionohet më tej.

Nga ana tjetër, drejtues të shoqatës u shprehën se pezullimi i aktiviteteve po dëmton sportistët dhe pjesëmarrjen e tyre në arenën ndërkombëtare. Sipas tyre, shoqata numëron 170 anëtarë në total, 73 prej të cilëve janë nga qarku Fier, ndërsa zotëron rreth 5200 pëllumba gare.