Këngëtarja Dua Lipa padit kompaninë Samsung për 15 milionë dollarë: Përdori imazhin tim pa leje
Këngëtarja e njohur Dua Lipa ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh ndaj Samsung, duke e akuzuar kompaninë se ka përdorur imazhin e saj pa autorizim në paketimet e televizorëve dhe në fushata reklamuese.
Padia është dorëzuar në Gjykatën Federale të Kalifornisë.
Sipas dokumenteve ligjore, Dua Lipa pretendon se Samsung ka përdorur fotografinë e saj në produktet e kompanisë që prej vitit të kaluar, pa kërkuar miratim dhe pa paguar kompensim financiar.
Në padi thuhet se këngëtarja kishte kërkuar më herët heqjen e imazhit të saj nga paketimet, por kompania dyshohet se nuk ka pranuar të veprojë.
Avokatët e artistes thonë se fotografia e saj është përdorur në një fushatë të gjerë marketingu, duke krijuar idenë e gabuar se Dua Lipa mbështeste ose promovonte produktet e Samsung.

