Opinion

Intervista Prof. Dr. Lush Susaj: Heshtja jonë ka lindur “përbindsha” e po mban të gjallë “kënetën” shoqërore e politike tipike shqiptare  

Shqiptari ka vetëm dy rrugë: duhet të bëhet skllav e të jetojë me bukën thatë në tokën dhe në vendin e vet, ose duhet të emigrojë. Jemi ai vendi, që importojmë deri edhe kashtën e gomarit dhe lakrat për turshi. Tragjedia e Arsimit e ka emrin kapje politike dhe politizim ekstrem, ku ka vdekur demokracia shkollore, studentore dhe universitare.

Jakup B. GJOÇA
GAZETA TELEGRAF

Prof. Dr. Lush Susaj, në intervistën për gazetën “TELEGRAF” pohon se gjendja social-politike në vend dhe jetesa e shqiptarëve është përkeqësuar në këto 13 vite të qeverisjes së Rilindjes, kaq, sa është lënë toka djerr dhe tashmë importojmë edhe …turshi. Prof. Susaj, si ekspert I Bujqësisë, thotë se asnjë fermer nuk mund të marrë fonde, pa lënë shuma të mëdha tek zyrtarët e korruptuar të partisë dhe se investimet përdoren për pushtet e pasuri dhe asgjë për shtetin e Shqipërinë. Tragjedia e Arsimit e ka emrin kapje politike dhe politizim ekstrem, ku ka vdekur demokracia shkollore, studentore dhe universitare. Prof. Suaj, duke ngritur zërin e protestës thotë se “Për sa kohë, që nënshtrohemi dhe heshtim ndaj së keqes do të mund të quhemi thjesht vërtebrorë, që që jetojmë pa cilësi, pa ideale, që jetojmë për nevojat e barkut. Përsa kohë. që të heshtim, jemi e do të bëhemi gjah edhe më i lehtë për përbindëshat e kënetës së korrupsionit dhe nepotizmit.”

Fondet dhe investimet janë marrë dhe përdorur nga një rreth shumë i ngushtë, e kudo vetëm për pushtet dhe për pasuri korrupsioni, asgjë për shtetin dhe Shqipërinë Përsa kohë. që të heshtim, jemi e do të bëhemi gjah edhe më i lehtë për përbindëshat e kënetës së korrupsionit dhe nepotizmit.



Prof. Susaj, a kemi degradim të sistemit qeverisës në këto 13 vite qeverisje të Rilindjes Socialiste?

Për fatin e keq, duket që situata është përkeqësuar në të gjitha drejtimet. Përpiqem, që të mund të gjej diçka të mirë, por e  kuptoj se është e kotë. Kjo ndodh për shkak që sa herë që marrë në analizë bujqësinë, mua me rezulton që të gjithë treguesit real të tokës, të prodhimit, të mbjelljeve, të numrit të bagëtive, të eksporteve, importeve, etj, shoh dhe kuptoj, që vetëm sa janë përkeqësuar. Kështu, më reazulton edhe në analizën, që unë bëj për sistemin arsimor, që përsëri po me duket edhe më keq nga sa ishte në vitin 2013, e i lënë jashtë çdo kujdesi e ndjeshmërie. Sikurse, më rezulton. që regresi më i madh është shkaktuar në lidhje me liritë dhe të Drejtat e Njeriut, ku kemi aq shumë çështje gjyqësore të hapura e të hequra zvarrë, që nga viti 2012-2014, e që akoma nuk po mbyllën. Drejtësia e vonuar është strapacim dhe humbje e madhe e kohës dhe besimit të një populli, që fatkeqësisht po kanalizohet për të ra në batakun e kanunit dhe të vetëgjygjësisë, e kjo në kohën, kur propaganda llomotit për mbyllje kapitujsh, a thua se mbyllja e kapitujve me BE, është mbyllja e një projekti apo dosje ministri të korruptuar. Në këto kushte, shqiptari ka vetëm dy rrugë, apo mundësi: duhet të bëhet skllav e të jetojë me bukën thatë në tokën dhe në vendin e vet, ose duhet të emigrojë në vëndet e tjera të rajonit dhe BE. Ky është ai çmimi shumë i lartë i heshtjes dhe votës së shitur.

Kanalizimi i parave publike tek një rreth i ngushtë njerëzish (koncesionet jo transparente) a është një mënyrë e mirë për të konsoliduar pushtetin personal  të kryeministrit?

Nga përvoja ime në fushat apo terrenin bujqësor e blegtoral të Shqipërisë, me keqardhje konstatoj, që të gjitha investimet, projektet, influencat, deri edhe ato subvencionet me pikatore nuk kanë shkuar tek prodhimi e as tek puntorët, përkundrazi janë përdorë për të blerë pushtet, për të devijuar dhe dhunuar votën. Fondet dhe investimet janë marrë dhe përdorur nga një rreth shumë i ngushtë, e kudo vetëm për pushtet dhe për pasuri korrupsioni, asgjë për shtetin dhe Shqipërinë. Kjo sjellje apo lojë e pisët ka një karakteristikë të përbashkët, që ka të bëjë me atë grupin nepotikë e hajdutërorë, që shfaqet kudo, që organizohet dhe vepron shpejt pas çdo investimi, posti, prone dhe projekti, e që sjellja e tyre nuk ka asgjë shtetërore e as kombëtare. Këto grupe bashkëpunuese e të miksuara midis llupsave, hajnave, banditëve dhe funksionarëve të qeverisjes, në të shumtën e rasteve të emëruar në funksion të krimit dhe korrupsionit, ngjanë vetëm me ato komitat pretare të shekujve 14-19-të, që zakonisht prisnin rrugët dhe grabisnin karvanet dhe tregjet. Ky miksim në komitat e njohura të korrupsionit, nuk vrasin si më parë më në prita, por ama dëbojnë dhe largojnë shumë më tepër nga puna, kontributi, pjesëmarrja dhe nga atdheu i tyre. Komitat e sotme nuk vjedhin më karvanët dhe mallërat e tregtarëve sikurse ndodhte në mesjetë. Përkundrazi, edhe bëjnë të njëtën punë, tashmë po e bëjnë pa zë e duke vjedhur me kollare, me vulat e qeverisjes dhe me letrat dhe dosje fiktive mbi investimet dhe veprat, që nuk u realizuan kurrë. Komitat pretare të korrupsionit dhe nepotizmit qeveritarë, tashmë të ulura e të ngulura si gozhda mbi institucionet dhe zyrat e administratës, nuk presin më rrugën e ndonjë karvani, por po e presin dhe bllokojnë rrugën e integrimit të botës, ekonomisë dhe të hapësirës shqiptare në BE, aty ku është interesi  dhe familja jonë biologjike dhe historike.  Gjithë ky çrregullim, humbje kohe dhe kapacitetesh, humbje popullsie dhe nxirje e imazhit, po shkaktohet për interesa të ulëta egoiste të një klase politike uzurpatore e tepër të konsumuar, për të cilën uroj, që të largohet sa më parë dhe pa u kriminalizuar më tepër.

Toka djerr është tragjedia, që denoncon korrupsionin dhe demontimin e qëllimshëm të burimeve kombëtare të punësimit dhe të prodhimit. Askush nga fermerët dhe prodhuesit e bujqësisë nuk arriti që të marrë fondet e as subvencionet pa lënë përqindjen e korrupsionit tek zyrtarët e korruptuar të partisë

Pse shumica e sipërfaqes se tokës në Shqipëri mbetet e pambjellë?

E vetmja tokë bujqësore e mbetur djerrë dhe e shkretë në rajonin e Ballkanit dhe më gjërë në Europë, është toka e Shqipërisë. Nga ku rezulton, që i vetmi vend, që nuk prodhon asgjë e që jeton i varur nga importet është Shqipëria. Jemi ai vendi, që importojmë deri edhe kashtën e gomarit dhe lakrat për turshi. Kjo po ndodh sepse politika dhe ministria e Bujqësisë, kurrë nuk e panë bujqësinë si interesin apo sektorin themelorë të punësimit dhe prodhimit kombëtarë, përkundrazi e përdorën si të ishte lopa apo delja e partisë. Që të gjitha qeverisjet dhe ministrat e Bujqësisë, hartuan dosje, projekte, strategji, reforma, etj, që të gjitha ishin sofizma, sa për të justifikuar paratë e shpenzuara për punë dhe shërbime, që kurrë nuk u kryen nga ekspertet e as nga specialistët e mirfilltë të fushave. Që do të thotë, që bujqësia vetëm sa është vjedhur hapur, pa mëshirë e në çdo gjë. Bujqësia nuk u mekanizua kurrë, sepse fondet e mekanizimit i menaxhuan-abuzuan klanet nepotike. Bujqësia nuk u përsos kurrë në teknologji, as protokolle dhe as legjislacion, sepse këto shërbime jetike u dërguan në dorën e grupeve të militantëve, e në të shumtën e rasteve vetëm sa për të blerë e manipuluar votat dhe pushtetin pa kufi të shukëve të partisë. Askush nga fermerët dhe prodhuesit e bujqësisë nuk arriti që të marrë fondet e as subvencionet pa lënë përqindjen e korrupsionit tek zyrtarët e korruptuar të partisë. Kujtoj faktin që kjo përqindje që para vitit 2013 ishte 15 – 20%, tashmë është rritur dy here, duke u bërë 40-60%. Këtë degradim të fondeve dhe subvencioneve e sheh dhe e dëgjon kudo nëpër Shqipëri, ndërsa vetëm auditet dhe agjensitë tona parandaluese e ligjzbatuese hiqen dhe bëjnë sikur nuk i shohin e dëgjojnë. Kjo ndodh, sepse edhe institucionet e auditit dhe sigurisë i ka mpirë dhe paralizuar me kohë helmi i akrepave të korrupsionit, krimit dhe nepotizmit. Sipërfaqja djerr e tokës bujqësore duket që është tragjedia ma e madhe. Toka djerr është tragjedia që denoncon korrupsionin dhe demontimin e qëllimshëm të burimeve kombëtare të punësimit dhe të prodhimit. Shikoni me vëmëndje, se si kudo e në strukturat e bujqësisë, do të mund të gjeni të punësuar inxhinier nafte e kromi, si dhe mësues të ciklit të ulët e të mesëm, muzikantë, psikologë dhe të diplomuar tek Kristali dhe Vitrina. Do të mund të gjeni edhe aq shumë militantë, pa asnjë orë mësimi mbi tokën, bimët dhe bujqësinë. Ndërsa në rrugët dhe kafenetë e Tiranës, kudo do të mund të gjeni agronomë dhe veterinerë, që nuk arrijnë të punësohen e as të punojnë për të mbjellë bimë, as grurë e misër, as perime e lule, as rrush dhe pemë frutore, as ulli dhe agrume, e rrallë ndonjë veteriner, që ka hapur ndonjë farmaci dhe punë me qeth e me kastrue macët e vilave të partisë. Kjo katrahurë ndodh vetëm për qejfin e nepotizmit dhe egos së drejtuesve mediokër, që po kapardisën e nuk kanë asnjë pendesë për tokën djerr dhe as për mbi 6 miliardë euro/vit importe, e ku bie në sy fakti, që importohet buka, me mbi 300.000 ton grurë në vit. Nuk arrij po që të gjej një tjetër rast, që vepron në këtë mënyrë, si Shqipëria, ku vidhën investimet, madje edhe subvencionet e BE. E ku për këtë edhe përjashtohen dhe mënjanohen ekspertët, agronomët, veterinerët dhe mekanizatorët më të talentuar, nga ku buron edhe gjithë ky kaosi në punë, në prodhim dhe në teknologji. Pa harruar edhe mënyrën se si po godasin pa mëshirë edhe politikat e gabuara fiskale, përmbytjet, zjarret, ngricat nga mungesa totale e testimeve dhe rajonizimit shkëncorë të kulturave, etj. Që të gjitha kanë për bazë qeverisjen e gabuar dhe abuzimin me fondet e projekteve dhe investimeve, që nuk shkuan kurrë aty ku duhet.

Për sa kohë, që nënshtrohemi dhe heshtim ndaj së keqes do të mund të quhemi thjesht vërtebrorë, që që jetojmë pa cilësi, pa ideale, që jetojmë për nevojat e barkut. Bujqësia nuk u mekanizua kurrë, sepse fondet e mekanizimit i menaxhuan-abuzuan klanet nepotike, sa për të blerë e manipuluar votat dhe pushtetin pa kufi

A mund të pretendohet për përparim, qasje me standartet Bashkimit Europian, kur aktualisht Arsimi Publik financohet me 2,1 %, ndërkohë rajoni e ka mbi 4.5 %

Realisht, nga rreth 2,1%, e sigurtë, që mbi 1% shkon për ndërtime, tendera, fasada, pllaka, abuzivizëm për grupin e ngushtë apo bërthamën dhe dorën e partisë, që është zgjatur e po shkatërron shkolla dhe universitete. Ndërsa shumë pak mbetet për të shkuar tek personeli, nxënësit dhe studentët e Shqipërisë. Tragjedia e Arsimit e ka emrin kapje politike dhe politizim ekstrem, ku si kurrë më parë duket që ka vdekur demokracia shkollore, studentore dhe universitare. Përtej propagandës, sistemi ynë arsimor është bërë më i ngurtë, më i kapur e në shërbim të më pak njerëzve. Sepse edhe në IAL, zgjedhjet janë bërë gjithënjë e më fiktive, pasi edhe në sistemin arsimorë drejtuesit i përcaktoi dhe zgjodhi direktiva e partisë, kurse dita e zgjedhjeve është shndërruar në një shfaqje bajate, sa për të ligjëruar manipulimin dhe kapjen politike të sistemit. Kurse në lidhje me rekrutimet e përsonelit duket që nuk bëhën më përpjekje për të përzgjedhur profesionistët dhe intelektualët më të mirë, thjesht bëhët kujdes për të mos dalë nga besnikët dhe rrethi nepotikë e familjarë, kjo për të patur në dorë zgjedhjet, vendimarrjen dhe administrimin e fondeve brenda klanit. E gjitha kjo bëhët për të siguruar vazhdimësi nepotike e për të pamundësuar qarkullimin e projekteve, elitave drejtuese e menaxhuese, ideve dhe mëndimeve, e që universitetet tona të mbetën me cilësi dhe akreditim as deri në nivelin e universiteteve të Kosovës (Prishtinës), që në akreditin ndërkombëtarë rezultojnë rreth 1381 vënde më lartë nga universitetet e Tiranës. Në këtë drejtim kujtoj faktin, që edhe universiteti i Beogradit, rënditet rreth 3843 vënde më lartë nga universitet tona. Në mjediset shkollore dhe universitare, falë nepotizmit dhe korrupsionit në çdo gjë, duket që u është shpallur luftë, përbuzje dhe menjanim ndaj të gjithë atyre që guxojnë me folë,  kritikuar, me dhënë mendime, apo kërkuar mirëadministrim dhe transparencë. Nga të gjitha poshtërsitë e kësaj bote, nuk besoj se ka një poshtërsi tjetër më të madhe se sa politizimi i sistemit arsimor dhe menjanimi i profesionistëve nga klasat, ku rinia shkon për të mësuar e për të marrë profesione për tregjet e punës, e jo për të marrë ato letrat për profesione që nuk di t’i ushtrojnë. Sepse këtu dhe në asnjë vënd të botës nuk të pyet kush se sa letra diplomash ke në sirtarë. Tashmë ka vetëm një pyetje: ku të thuhet se çfarë di për të punuar, apo për të prodhuar. Ka ardhë koha me i rikthye shkollat dhe universitetet në qendra të formimit qytetarë dhe profesional, në qendra të debatit dhe krijimit të njerëzve reargues e të përgjegjëshëm. Sistemi duhet të edukojë teknologjitë bashkëkohore dhe reagimin, e jo prapambetjen dhe qafën e shtrirë, as militantizmin dhe gojën e kyçur. Shqipëria ka nevojë për profesionistë e jo për militantë dhe analfabetë funksional, që studimet tregojnë se kanë arritur në mbi 60%.

Heshtja jonë a ka lindur përbindësha në politikën,që na udhëheq?

Mbetet më aktuale se kurrë shprehja e Dostojevskut, kur thotë që heshtja lind përbindësha. Heshtja jonë sa nga idiotësia dhe sa nga frika, ka krijuar e po e mban të gjallë atë kënetën shoqërore e politike tipike shqiptare. Një kënetë e paqarkullueshme dhe e trashë nga ujërat e ndotura, ku zhvillohen aq shumë krokodila, thihëlopa, hardhuca, zhapika, bolla, akrepa helmues, grerëza  e mushkonja. E ku njeriu dhe çdo gjallesë tjetër e ka të pamundur të jetojë e të mbrohet nga kafshimi dhe pasojat e tjera të gjithanshme. Përsa kohë, që të heshtim, jemi e do të bëhemi gjah edhe më i lehtë për përbindëshat e kënetës së korrupsionit dhe nepotizmit. Përsa kohë, që heshtim dhe nuk reagojmë, nuk mund të jemi dhe duket që nuk e meritojmë as emrin qytetarë. Për sa kohë, që nënshtrohemi dhe heshtim ndaj së keqes do të mund të quhemi thjesht vërtebrorë, që që jetojmë pa cilësi, pa ideale, që jetojmë për nevojat e barkut, e që thjesht bëjmë atë riprodhimin natyrorë të species. Përsa kohë, që nuk flasim e nuk reagojmë ishim e do të jemi një produkt organikë i lehtë për t’u kollofitur nga krokodilat dhe thithëlopat e korrupsionit dhe diktaturave. Përsa kohë, që heshtim meritojmë të quhemi “skllevër e bij skllevërish”, sikurse thoshte Fan Noli.

-Faleminderit!