Bota

Nga Beqir Sina – Bronx NY: Tubimi Komemorativ për Kongresmenin Elito Engel

Një Homazh nga Clinton-ët, guvernatoren Kathy Hochul, kongresmenë, senatorë dhe liderë lokalë

Në datën 17 maj 2026, në Teatrin Lovinger të Kolegjit Herbert H. Lehman në Bronx, u zhvillua një tubim komemorativ solemn për të nderuar kongresmenin amerikan Elito Engel , i cili ndërroi jetë më 10 prill 2026 në moshën 79-vjeçare. Engel, një demokrat i shquar që përfaqësoi pjesë të Bronx-it dhe Westchester County për më shumë se 32 vjet në Kongresin amerikan, u kujtua si një lider i përkushtuar, mik i madh i shqiptarëve dhe avokat i fortë i çështjeve humanitare ndërkombëtare.

Në këtë ceremoni morrën pjesë Presidenti Bill Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, Guvernatorja e New York-ut Kathy Hochul, Senatorë e Kongresmenë të shumtë, udhëheqës të shtetit të New York-ut, udhëheqës lokalë të qytetit të New York-ut, përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, diplomat të Shqipërisë e Kosovës, si dhe shumë miq, familjarë e bashkëpunëtorë të Kongresmenit Eliot Engel.

Videoja e BroxNet, ndarë nga Harry Bajraktari, një figurë e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe mik i ngushtë i Engel-it, kap thelbin e këtij eventi, ku folën figura të mëdha si ish-Presidenti Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton. Tubimi bashkoi guvernatoren Kathy Hochul, kongresmenë, senatorë dhe liderë lokalë për të nderuar trashëgiminë e një njeriu që luftoi për drejtësi sociale, paqe ndërkombëtare dhe të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara, përfshirë shqiptarët e Kosovës.

Nga fjala e Presidentit Bill Clinton

Ish-Presidenti Bill Clinton foli me ngrohtësi dhe admirim për mikun e tij të vjetër. Ai e përshkroi Engel-in si një aleat të palëkundur gjatë presidencës së tij:

“E gjithë fushata ime në 1992 ishte që ne duhet të ndalojmë demonizimin e njëri-tjetrit dhe të shtrijmë dorën përtej ndarjeve tona të zakonshme. Ai u ngrit i pari në këmbë dhe më mbështeti. Ai ma bëri punën time shumë më të lehtë kur isha president. Ai provoi se ekonomia ‘trickle-down’ nuk ishte rruga më e mirë për të drejtuar një vend dhe se ishte më mirë të ndërtonim një ekonomi nga poshtë lart dhe nga mesi e poshtë.”

Clinton kujtoi se Engel ishte pranë tij në luftën për ndalimin e armëve vdekjeprurëse, kufizimet e karikatorëve të municionit dhe Ligjin Brady.

Ai theksoi karakterin e Engel-it:

“Ai ishte një kongresmen “emocional hands-on” që i mbante gjithëçka në mendjen e tj. Ai gjithmonë e dinte se çfarë ishte rezultati. Ai provoi se mund të ishte i ashpër dhe vërtet i mirë.”

Clinton nënvizoi rolin e Engel-it si aleat i qëndrueshëm në çështjet e brendshme dhe ndërkombëtare, duke e quajtur atë një partner të domosdoshëm.

Presidenti Clinton, duke kujtuar vitet e vështira të fundit të viteve ’90, tha se Kongresmeni Engel ishte një zë i fuqishëm që ushtronte presion të vazhdueshëm mbi administratën e tij për të vepruar në Kosovë.

“Kongresmeni Engel ushtronte presion konstant mbi administratën time për çështjen e Kosovës. Ne ishim me fat që bashkëpunëuam dhe arritëm të bëjmë një ndryshim real për popullin e Kosovës. Ai ishte aty kur botë kishte nevojë për njerëz që të flisnin qartë kundër spastrimit etnik.”

Clinton falënderoi Engel-in për angazhimin e tij të hershëm, duke theksuar se pa mbështetjen e liderëve si ai në Kongres, do të ishte shumë më e vështirë të mobilizohej opinioni amerikan dhe NATO për të ndaluar tragjedinë në Kosovë. Ai e përshkroi Engel-in si një aleat kyç që ndihmoi në vendimmarrjen historike për ndërhyrjen e NATO-s në 1999, e cila çoi në çlirimin e Kosovës nga regjimi i Millosheviçit. Clinton shtoi se miqësia me Engel-in ishte një partneritet që shpëtoi jetë dhe ndihmoi në ndërtimin e një Kosove të lirë.

Në tubimin komemorativ, si Presidenti Bill Clinton ashtu edhe Hillary Clinton theksuan veçanërisht rolin e pazëvendësueshëm të Elito Engel në çështjen e Kosovës.

Hillary Clinton, e cila si Senatore dhe më vonë si Sekretare e Shtetit punoi ngushtë me Engel, foli me emocione të thella për përkushtimin e tij ndaj shqiptarëve të Kosovës:

“Eliot Engel ishte një nga avokatët më të vendosur për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë në një kohë kur shumë njerëz në Washington ende hezitonin. Ai kuptonte se çfarë po ndodhte – spastrimi sistematik, dhuna kundër civilëve, fshatrat e djegura. Ai nuk pushoi së thirruri për veprim. Falë zërit të tij dhe të tjerëve si ai, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë ndërhynë për të ndaluar gjenocidin.”

Ajo vazhdoi duke kujtuar se Engel luajti rol vendimtar edhe pas çlirimit, duke mbështetur pavarësinë e Kosovës në 2008 dhe duke punuar për njohjen ndërkombëtare të saj.

“Ai e shihte Kosovën si simbol të fitores së vlerave amerikane: liri, dinjitet njerëzor dhe mbrojtje e të dobëtve. Eliot besonte se Amerika duhet të qëndrojë me popujt që luftojnë për liri, dhe ai e dëshmoi këtë besim çdo ditë kur bëhej fjalë për Kosovën.”

Hillary Clinton, e cila punoi ngushtë me Engel gjatë viteve, foli me emocion për besnikërinë dhe mençurinë e tij:

“Ai ishte pranë meje kur shpallja fushatën time të parë për Senat. Ai ishte me mua në çdo fushatë pas asaj. Ai ishte një këshilltar shumë i mençur dhe i qëndrueshëm. Ai ishte dikush që mund të llogarisje gjithmonë se do të ishte aty.”

Ajo vazhdoi duke përshkruar angazhimin e tij për kauzat humane:

“Ndërsa punonim për të miratuar Aktin për Dhunën ndaj Grave në vitet ’90, Eliot ishte aty. Kur punonim për Programin e Sigurimit Shëndetësor për Fëmijët, Eliot ishte aty. Ai kuptonte se puna e qeverisë është në pjesën më të madhe për të kujdesur për njerëzit, për t’u dhënë atyre mundësinë të realizojnë potencialin e tyre, për të krijuar një mjedis ku njerëzit ndihen të respektuar dhe të parë, ku dinjiteti i tyre pranohet si normë. Ishte për mbrojtjen e më të pambrojturve mes nesh dhe për t’u siguruar që zëri i të gjithëve do të dëgjohej.”

Hillary theksoi luftën e vazhdueshme të Engel-it për njerëzit dhe kauzat në të cilat besonte.

Ndërsa, Guvernatorja Kathy Hochul e përshkroi Engel-in si “një person të jashtëzakonshëm të thirrur në shërbim publik për arsyet e duhura”, duke nxjerrë në pah dhembshurinë e tij globale. Kongresmeni George Latimer theksoi përulësinë dhe integritetin e tij në një kohë kur këto cilësi janë të rralla në Washington.

Trashëgimia e Engel-it për Shqiptarët

Elito Engel ishte një mik i vërtetë i shqiptarëve. Ai luajti rol kyç në mbështetjen e Kosovës gjatë krizës së Ballkanit, duke ushtruar presion mbi administratën Clinton për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës dhe duke mbështetur pavarësinë e Kosovës në 2008.

Komuniteti shqiptaro-amerikan, i udhëhequr nga figura si Harry Bajraktari, e nderon atë si një nga miqtë më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë populli shqiptar. Tubimi komemorativ ishte një thirrje për unitet në nderimin e kësaj miqësie të shenjtë midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara.

Këto fjalime nxorën në pah se Elito Engel nuk ishte vetëm një kongresmen – ai ishte arkitekt i një politike që ndryshoi historinë e Ballkanit. Presioni i tij ndihmoi që administrata Clinton të mos qëndronte pasive përballë krizës humanitare më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Mbi 800,000 shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre falë ndërhyrjes së NATO-s, një sukses që Clintons e lidhën drejtpërdrejt me punën e palodhur të Engel-it.

Komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes Harry Bajraktarit dhe të tjerëve, e sheh këtë trashëgimi si themel të miqësisë së përjetshme shqiptaro-amerikane.

Tubimi komemorativ u kthye kështu në një përkujtim të jo vetëm një njeriu, por të një momenti historik ku Amerika dhe shqiptarët qëndruan bashkë për liri. Fjalët e Bill dhe Hillary Clinton pasqyrojnë thellësisht ndikimin që ai la, si një lider që bashkoi njerëzit, mbrojti të dobëtit dhe punoi pa u lodhur për një Amerikë dhe botë më të mirë.

Për shqiptarët, ai mbetet simbol i solidaritetit transatlantik. Siç tha Harry Bajraktari, le të bashkohemi për të nderuar kujtimin e tij dhe për të vazhduar trashëgiminë e miqësisë dhe përkushtimit.