Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio viziton Misionaret e Bamirësisë të Nënë Terezës në Kolkata
Beqir SINA – New York


Mesazhi universal, lidhja midis një diplomati amerikan të nivelit të lartë dhe trashëgimisë së një shqiptareje të madhe si Nënë Tereza
Më 23 maj 2026, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, filloi vizitën e tij të parë zyrtare në Indi me një ndalesë simbolike në Kolkata. I shoqëruar nga ambasadori amerikan Sergio Gor dhe bashkëshortja e tij Jeanette, Rubio vizitoi Mother House, selinë kryesore të Misionaret e Bamirësisë, të themeluara nga nobelistja shqiptare Shën Tereza e Kalkutës (Nënë Tereza).
Vizita në Mother House nuk ishte thjesht një ndalesë protokollare.Mbasi ai si katolik i devotshëm, kaloi rreth një orë në këtë vend të shenjtë, ku u lut pranë varrit të Nënë Terezës dhe u takua me motrat e kongregacionit.
Rubio vizitoi edhe Nirmala Sishu Bhavan, një nga jetimoret kryesore të Misionaret e Bamirësisë, ku u njoh nga afër me punën e përditshme për fëmijët e braktisur, të sëmurë dhe të varfër.
Motrat e kongregacionit shprehën gëzim për iniciativën e Rubio-s, duke e cilësuar vizitën si një “takim familjar” të thjeshtë dhe të ngrohtë.
Trashëgimia e Nënë Terezës
Anje Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, lindi në Shkup më 1910 nga një familje shqiptare. Në vitin 1950 themeloi Misionaret e Bamirësisë në Kalkuta, një kongregacion katolik i dedikuar shërbimit ndaj më të varfërve të të varfërve.


Punimi i saj u kurorëzua me Çmimin Nobel për Paqe në 1979.
Sot, Misionaret e Bamirësisë operojnë në mbi 130 vende, duke ofruar strehim, kujdes mjekësor dhe dashuri për miliona njerëz në nevojë. Në Indi, ato vazhdojnë të jenë një simbol i dhembshurisë pa dallime fetare apo kombëtare.
Rëndësia diplomatike e vizitës së Sekretarit të Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio në vizitën katër-ditore në Indi pikërisht nga Mother House, duket se dërgoi një mesazh të qartë, vlerat humanitare dhe dhembshuria mbeten në qendër të politikës së jashtme amerikane.
Vizita në Kolkata erdhi para takimeve të rëndësishme në New Delhi me kryeministrin Narendra Modi, ministrin e Jashtëm S. Jaishankar dhe pjesëmarrjes në takimin e Quad-it (SHBA, Indi, Japoni, Australi).
Analistët vlerësojnë se ky gest simbolik forcon lidhjet midis dy demokracive më të mëdha të botë. Ai thekson bashkëpunimin jo vetëm në fushat e mbrojtjes, teknologjisë dhe tregtisë, por edhe në çështjet humanitare.
Për Rubio-n, si katolik, vizita te varri i Nënë Terezës ishte edhe një akt personal besimi.
Kjo vizitë na kujton se në botën e sotme të tensionuar gjeopolitik, veprimet e thjeshta të dhembshurisë kanë ende fuqi të madhe simbolike.
Ky është dhe ai mesazhi universal, lidhja midis një diplomati amerikan të nivelit të lartë dhe trashëgimisë së një shqiptareje të madhe si Nënë Tereza, e cila tregon se vlerat njerëzore transcendojnë kufijtë politikë dhe fetarë.

