Takimi i LRI-së/ Xhixho: Diskutime të hapura mbi sfidat dhe mundësitë që kanë të rinjtë
Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka publikuar në faqen e saj në facebook foto nga takimi i ditës së sotme te të rinjve të kësaj force politike.
“Gjatë këtij takimi prezantuam programin tonë për rininë, një program që vendos arsimin, punësimin dhe fuqizimin e të rinjve në qendër të politikave tona”, shkruan Xhixho në mesazhin e saj.
Postimi I plotë:
Foto album nga takimi i mrekullueshëm i LRI-së
Faleminderit të gjithë të rinjve për energjinë, idetë dhe angazhimin e jashtëzakonshëm në Tryezën e Rinisë, ku zhvilluam diskutime të hapura mbi sfidat dhe mundësitë që kanë të rinjtë sot.
Gjatë këtij takimi prezantuam programin tonë për rininë, një program që vendos arsimin, punësimin dhe fuqizimin e të rinjve në qendër të politikave tona. Diskutuam për kostot e larta të studimeve, mungesën e mundësive, largimin e të rinjve nga vendi, mbështetjen për sipërmarrjen dhe nevojën për më shumë përfaqësim të rinisë në vendimmarrje.
Programi ynë parashikon më shumë mbështetje për studentët, ulje të kostove të jetesës dhe studimit, praktika profesionale, zhvillim të aftësive digjitale, mbështetje për start-up-et dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë.
Shqipëria u përket të rinjve dhe bashkë do ta rikthejmë vendin në një mundësi reale për çdo të ri shqiptar.

