Opinion

“Kamikazët e rrugëve” – A zgjidhet problemi i aksidenteve, vetëm me gjoba (vjet Policia vendosi 1 milion e 100 mijë)

Nëse del me makinë në Shqipëri, sidomos në autostradë, do të përballesh me një stres të madh dhe me frikën se rrezikon seriozisht jetën.

Provoni të udhëtoni fjala vjen, në autostradën Tiranë-Durrës.

Makina që parakalojnë në mënyrë të frikshme, që të rrinë ngjitur dhe të ushtrojnë presion për t’u hapur rrugën, dhe nëse nuk e bën një gjë të tillë në moment, të dalin para nga krahu i djathtë dhe të frenojnë para qëllimisht, për t’u përplasur, apo manovra të tjera të rrezikshme, janë pamja e përditëshme në këtë autostradë.

Dhe aksidentet, sigurisht, janë të përditshme, shpesh dhe me viktima.

Kur viktima pastaj janë fëmijët, si ata në Durrës apo në Elbasan, në rrjet shpërthejnë komente të shumta, për ashpërsimin e rregullores.

Atyre iu shtohen dhe politikanët, që fajin e gjejnë vetëm tek shoferët, jo tek infrastruktura, për të cilën kanë përgjegjësi.

Por a është zgjidhje vetëm shtrëngimi i masave dhe rritja e gjobave?

Fakt është, se gjoba të orientuara vetëm drejt rritjes së numrit nuk sjellin asnjë ndikim real në rritjen e sigurisë rrugore.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë vendosur mbi 1 milion e 100 mijë gjoba nga policia rrugore.

Por cili ka qenë rezultati konkret nëe uljen e aksidenteve, agresivitetit dhe humbjeve të jetës në rrugë?

Aksidentet vazhdojnë njësoj dhe agresiviteti i shoferëve, po ashtu.

Siguria rrugore nuk përmirsohet duke ndëshkuar masivisht drejtues që ecin pak kilometra mbi limit në rrugët interurbane me standarde të pranueshme.

Fokusi duhet të jetë tek drejtuesit agresivë, parakalimet e rrezikshme, garat në rruge, drejtimi nën efektin e alkoolit apo lëndeve narkotike dhe sjelljet kriminale që marrin jetë njerëzish.

Se ky nuk është problem që zgjidhet thjesht me mbushje blloqesh me gjoba./Vox.