Greqia arreston për fondet e BE-së, në Shqipëri skandali “IPARD” i Frida Krifcës mban peng fermerët
Një operacion i madh policor i shtrirë në ishullin e Kretës ka rikthyer në vëmendje menaxhimin e fondeve europiane për bujqësinë dhe ka nxjerrë në pah një kontrast të fortë në reagimin institucional mes vendeve të rajonit.
Ndërsa autoritetet fqinje po veprojnë me pranga dhe ndjekje penale për abuzimet me subvencionet, në Shqipëri procesi hetimor ndaj ish-zyrtarëve të lartë vazhdon të mbetet i bllokuar në fazë paraprake, duke penalizuar drejtpërdrejt mbështetjen financiare të Bashkimit Europian për fermerët vendas.
Policia greke ka vënë në pranga 20 persona, të akuzuar si pjesë e një rrjeti kriminal që dyshohet se ka përvetësuar mbi 3 milionë euro subvencione bujqësore të BE-së përgjatë shtatë viteve të fundit.
Mes të arrestuarve përfshihen fermerë, kontabilistë dhe një nëpunës civil, të cilët bashkëpunonin për falsifikimin e deklaratave të pronësisë mbi tokat bujqësore me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve.
Ky aksion pasoi hetimet e Prokurorisë Publike Europiane dhe konsiderohet vetëm një pjesë e një skandali më të gjerë, për të cilin Parlamenti grek ka hequr tashmë imunitetin e 13 deputetëve të mazhorancës, ndërsa kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar publikisht përshpejtimin e procesit për ngritjen e akuzave.
Krejt ndryshe paraqitet situata në Shqipëri, ku ndonëse Brukseli ka ngritur prej vitesh alarmin për abuzime të ngjashme, dosja përkatëse vijon të mos ketë asnjë të arrestuar apo të akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme.
Në qershor të vitit 2021, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, i dorëzoi SPAK-ut një raport zyrtar shoqëruar me kallëzim penal për abuzime masive me programin IPARD II, ku në qendër të dyshimeve u vendos ish-drejtoresha e AZHBR-së dhe ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.
Sipas gjetjeve të hetimit ndërkombëtar, fondet e destinuara për zhvillimin e bujqësisë shqiptare ishin shpërndarë në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me kriteret e vendosura, por në vend të llogaridhënies, Krifca fillimisht u promovua në postin e ministres nga kryeministri Edi Rama, lëvizje që asokohe shkaktoi reagime negative në Bruksel.
Pasojat e kësaj mungese ndëshkueshmërie po i vuajnë sot fermerët shqiptarë, pasi programi i ri i financimit IPARD III mbetet i pezulluar pa afat nga Bashkimi Europian. Për të zbutur disi situatën e vështirë në sektor, Ministria e Bujqësisë ka çelur aplikimet për Skemën Kombëtare me një fond prej 5.2 miliardë lekësh, ku ministri aktual Andis Salla bëri me dije se vetëm në orët e para u regjistruan mbi 5 mijë aplikime.
Megjithatë, ministri pranoi se sa i përket fondeve të BE-së, Shqipëria ka dorëzuar dokumentacionin dhe çdo gjë mbetet në vlerësimin e Komisionit Europian. Fakti që Maqedonia e Veriut dënon me burg zyrtarët e saj dhe Greqia kryen arrestime masive, ndërsa në Shqipëri dosja IPARD mbetet prej pesë vitesh në rrethin e hetimeve të përgjithshme, dëshmon se mosbesimi i Brukselit lidhet pikërisht me mungesën e vullnetit për të ndëshkuar zyrtarët përgjegjës për skandalin.

