Aktualitet

Muaji Ndërkombëtar i Ndërgjegjësimit për Auditimin e Brendshëm: AAB afron studentët me profesionin e audituesit të brendshëm

 

Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Ndërgjegjësimit për Auditimin e Brendshëm, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) vijoi edhe këtë vit angazhimin për promovimin e rolit dhe rëndësisë së këtij profesioni tek të rinjtë, përmes leksioneve të hapura të zhvilluara në disa universitete të vendit. Aktivitetet bënë bashkë studentë dhe ekspertë të sektorit bankar, të cilët ndanë përvojën e tyre profesionale dhe diskutuan mbi rëndësinë e tij në forcimin e integritetit, transparencës dhe menaxhimit të riskut.

Më 28 maj, në Universitetin Polis, Kryetari i Komitetit të Auditit në AAB dhe Menaxher i Departamentit të Auditit të Brendshëm në Bankën Kombëtare Tregtare, z. Veridjan Hoxha, ndau me studentët eksperiencën e tij mbi auditimin e bazuar në risk dhe praktikat profesionale në banka.

Më 20 maj, në Universitetin Epoka, znj. Danjela Begolli, anëtare e Komitetit të Auditimit në AAB dhe Drejtuese e Departamentit të Auditimit në Tirana Bank, mbajti një leksion për studentët e degës Financë dhe Biznes mbi rolin e këtij profesioni në sektorin bankar.

Po në të njëjtën ditë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, znj. Dorina Marku, anëtare e Komitetit të Auditit në AAB dhe Drejtuese e Departamentit të Auditit në FIBank Shqipëri, zhvilloi një leksion me studentët, duke ndarë këndvështrime mbi rëndësinë e auditimit të brendshëm në sistemin financiar.

Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me profesionin, të angazhohen në diskutime dhe të eksplorojnë mundësitë për zhvillim profesional në sektorin bankar.