Sindikalisti me HEC-e Kol Nikollaj dhe miliardat e fituara me tenderat shtetërorë
Si kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj e shndërroi zërin e 100,000 punëtorëve në monedhë këmbimi për koncesione energjetike, tendera publike dhe ortakëri ilegale për përitime marramendëse nga HEC-et mes maleve të Mirditës
Në janar 2021, Kol Nikollaj, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSh), mbërriti në një fabrikë fasonerie në Shkodër. U fotografua duke shtrënguar duart me administratoren, u ul me punëtorët, dëgjoi ankesat e tyre. U tha se sindikata është me ta. Fotografitë u publikuan në faqen zyrtare të KSSh-së si shembull i “bashkëpunimit dypalësh”.
Nëntë muaj para kësaj vizite, në mars 2019, i njëjti Kol Nikollaj kishte aplikuar në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) si kërkues licence dhe aplikues për lejen mjedisore për dy hidrocentrale private, “Bushi” dhe “Bushi-1”, në lumin Zalli i Tharrit dhe Përroin Perlikaj, në fshatin Bardhaj dhe Lufaj, Selitë e Mirditës.
Nuk ishte në emër të sindikatës. Ishte në emër të tij, siç e tregon ky dokument i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, i ngarkuar në faqen zyrtare të saj.

Dy vite më vonë, punëtorët e atyre hidrocentraleve, që Nikollaj i zotëron përmes të afërmve të tij, do të paguheshin nën pagën minimale ligjore dhe 30% e tyre rezulton se nuk kishin sigurime shoqërore. Ndoshta nuk e dinin se pronari i vërtetë i tyre është pikërisht ai njeri që fotografohet nëpër fabrika duke u thënë se është zëri i tyre.
KOL NIKOLLAJ, 21 VJET NE FRONIN E SINDIKATAVE
Kol Nikollaj është president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSh) që nga 24 nëntor 2004, kur fitoi me diferencë të ngushtë zgjedhjet e Kongresit të Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (CTUA) pas largimit të Kastriot Muços. Që atëherë, pa asnjë ndërprerje ai ka qëndruar në majë të organizatës që pretendon të përfaqësojë rreth 100,000 punëtorë shqiptarë dhe është anëtare e ITUC.
Njëzet e një vite president i të njëjtës organizatë. Nuk ka vend tjetër në demokracitë evropiane ku kryetari i një konfederate kombëtare sindikale qëndron kaq gjatë në detyrë. Por ndoshta arsyeja nuk është popullariteti, por diçka tjetër.

HEC-et BUSHI, HISTORIA E NJË LICENCE QË NXJERR ZBULUAR KRYESINDIKALISTIN
Më 6 mars 2019, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit miratoi, me Vendimin Nr. 31, lejen mjedisore për “HEC Bushi dhe Bushi 1” në Mirditë. Dokumentet zyrtare tregojnë se kërkuesi i licencës dhe aplikuesi për lejen mjedisore ishte Kol Nikollaj vetë.

Vendndodhja është lumi Zalli i Tharrit dhe Përroin Perlikaj, zona Bardhaj-Lufaj, Selitë, Mirditë.
Periudha e konçesionit është 35 vjet. Kjo do të thotë se deri në vitin 2054, ujërat e maleve të Mirditës do të shfrytëzohen nga turbinat e HEC-eve të kryetarit të sindikatave.
Por ky nuk ishte vetëm projekt i tij personal. Dokumentet tregojnë se Kol Nikollaj ka hyrë si ortak ilegal dhe përfaqësues i kompanisë “KTHELLA sh.p.k, me administrator Pjetër Ndue Nikolli, me seli në Rrëshen, Mirditë.
Sipas të dhënave të QKB-së, KTHELLA sh.p.k (NIPT: J69303023D) ka si të vetmin zotëruess të regjistruar Pjetër Nikollin me 100% të kuotave. Kol Nikollaj nuk figuron askund si ortak zyrtar. Megjithatë, dokumentet e licencës e vendosin atë si “kërkues dhe aplikues”, domethënë person me fuqi juridike për të vepruar në emër të projektit. Kjo bie ndesh me rregullat e prokurës dhe ortakërisë tregtare.
Nëse ai ka ushtruar të drejta pronësie ose vendimmarrjeje mbi HEC-et pa qenë i regjistruar si ortak, problemet ligjore janë dy: “fshehje interesash ekonomike” dhe “përfaqësi ilegale” e një shoqërie tregtare.
KTHELLA sh.p.k, KOMPANIA ME 7 SEKUESTRO DHE MILIARDA LEKË TENDERA
KTHELLA sh.p.k nuk është një shoqëri e vogël. E themeluar më “1 mars 1996” në Rrëshen, ajo ka kaluar nëpër transformime të shumta duke u shndërruar në një ndër kontraktorët më të mëdhenj publik të rajonit verior.
Kapitali themeltar aktual: “170,000,000 lekë” — i rritur nga vetëm 100,000 lekë deri në vitin 2016, kur asamblea e ortakëve e zmadhua duke përfshirë fitimin e vitit 2015 dhe rezervat.
Objekti i veprimtarisë është i pafund, nga ndërtimi civil e industrial, te hidrocentrale, rrugë, sinjalistikë, gjeologji, pylltari, bar-restorant, hoteleri, riciklim mbetjesh, bujqësi, shërbime funerale. Mbi 30 shtesa të objektit të veprimtarisë gjatë viteve, praktikisht çdo sektor i ekonomisë shqiptare.



Kontratat Publike — Shifrat flasin vetë
Sipas të dhënave të Open Procurement Albania, KTHELLA sh.p.k ka fituar:
– 47 kontrata publike si kontraktor i vetëm — me vlerë totale 1,433,817,798 lekë (rreth 13.4 milionë euro)
– Autoritete kontraktuese: 11 bashki të ndryshme
– Kontrata shtesë në bashkëpunim: edhe 9 grupe operatorësh ku Kthella është partner
Nga bashkitë kontraktuese dallohen:
| Bashkia Tiranë | 5 kontrata me vlerë 482,103,560 lekë |
| Bashkia Kamëz | 10 kontrata me vlerë 409,037,825 lekë |
| Bashkia Kolonjë | 4 kontrata me vlerë 148,694,509 lekë |
| Bashkia Mirditë (selia e kompanisë) | 5 kontrata me 184,966,458 lekë |
Ndër kontratat me konsorcium, grupimi “Udha” sh.p.k & “Ndregjoni” sh.p.k & “Kthella” sh.p.k ka fituar vetëm nga Bashkia Tiranë 512,482,994 lekë. Bashkëpunimi me “Liqeni VII” sh.p.k ka sjellë 184,001,854 lekë nga e njëjta bashki.
Gjithsej, nëpërmjet të gjitha formave të kontraktimit publik (qeverisje vendore, shëndetësi, ndërmarrje publike, FSHZH), shuma e perfituar nga KTHELLA, drejtpërsëdrejti dhe si pjesë e konsorciume, tejkalon “2 miliardë lekë”.
Por si arrin një kompani me bazë në Rrëshen, Mirditë, të fitojë kontrata nga Tirana, Kamza, Kolonja, Përmeti dhe Selenica njëkohësisht, zona krejtësisht të ndryshme gjeografike?
TRANFERIMI I DYSHIMTË I ASETEVE NË FAMILJEN E KOL NIKOLLAJT
Më 22 maj 2023, depozitohet në QKB marrëveshja për transferimin e veprimtarisë ekonomike dhe aseteve të HEC-it BUSHI nga KTHELLA sh.p.k. tek shoqëria “Bushi-Lufi” sh.p.k. Ky transferim kryhet pa dokument shoqërues të depozituar.
Nga Pjetër Nikolli, mik i Kol Nikollajt, tani HEC -et i kalojnë familjes së Kol Nikollajt, vajzës dhe nipit të tij, ky i fundit një individ me të kaluar të dyshimtë.
Adelajda Nikolli, e bija e kryesindikalistit, sipas të dhënave në QBK, rezulton të jetë ortake mazhoritare me 60% e kompanisë “Bushi-Lufi”, ndërsa Leonard Lleshaj, nipi i Kol Nikollajt, ortak me 40%. Leonard Lleshaj është edhe personi që merret me të gjitha operacionet në terren që prej ndërtimit të HEC-eve, por emri i tij figuron në dokumenta zyrtare vetëm pas shitjes së aksioneve nga “Kthella” te “Bushi-Lufi”.
Kalimi i të gjitha aseteve fizike dhe të drejtat operuese të HEC-it kalojnë nga “Kthella” te “Bushi-Lufi” pikërisht në kohën kur kur kompania po akumulonte sekuestro dhe borxhe të pafundme.
Por cilat janë burimet e kapitalit të Adelajda Nikollajt dhe të Leonard Lleshajt? Sipas regjistrave të QKB, asnjëri prej tyre nuk ka zhvilluar më parë ndonjë aktivitet tregtar. E megjithatë, ata janë bërë pronarë të dy HEC-eve.
HISTORIA E ERRËT E SEKUESTROVE, 17 ÇËSHTJE NË GJYKATA
Historia e KTHELLA sh.p.k është e ndërlikuar. Nga viti 2014 deri në tetor 2024, kompania ka pasur 17 çështje ligjore, të regjistruara në QKB.
2014–2022: Vite pengu ndaj Raiffeisen Bank
Prej vitit 2014, 100% e kuotave të KTHELLA sh.p.k janë të vendosura si kolateral ndaj “Raiffeisen Bank”. Kontrata të shumëfishta pengu dhe marrëveshje siguruese 2014, 2015, 2017, 2019 tregojnë varësi financiare kronike. Administratori Pjetër Nikolli ka vendosur personalisht peng të gjitha aksionet e tij, domethënë 100% të shoqërisë.
Maj 2022: Bashkia Mirditë e shpall debitor
Më 31 maj 2022, Bashkia Mirditë, e njëjta bashki ku kompania ka selinë dhe ku ka fituar 15 kontratat e para, kërkoi bllokimin e pasurisë dhe të drejtave pasurore të KTHELLA si palë debitore. Masa hiqet dy muaj më vonë, në gusht 2022, por pyetja mbetet: çfarë borxhi kishte kompania ndaj bashkisë që financoi?
Sekuestrot
| 2023–2024 | Katër sekuestro konservative brenda 18 muajve |
| 14 qershor 2023 | Sekuestro nga Zyra e Përmbarimit EPSA |
| 15 prill 2024 | Sekuestro nga Real Bailiff Service |
| 6 qershor 2024 | Sekuestro nga TDR Group (Përmbaruesi Florian Shehu) |
| 1–2 tetor 2024 | Dy sekuestro njëkohësisht — nga Real Bailiff Service dhe sërisht nga Florian Shehu |
Disa prej këtyre masave u hoqën pas negociatave, por dy sekuestrot e tetorit 2024 janë akoma aktive deri në urdhër të ri.Ky ritëm, praktikisht një sekuestro çdo gjashtë muaj, tregon se kompania ka detyrime të papaguara të shumëfishta ndaj palëve të ndryshme kreditorësh.
PAZARI, SI FUNKSIONON SKEMA
Kur bashkon të gjitha copëzat, shfaqet një skemë e qartë.
Pjesa e parë ështe kapja e sindikatës si vegël presioni. Kol Nikollaj nuk drejton KSSh-në si administrator organizate. E drejton si instrument. Kontrollorët e trafikut ajror të Rinasit zbuluan këtë kur bënë grevë në 2021. Federata e sindikatave e transportit pranë KSSh doli jo në mbështetje të punëtorëve, por “pranë Qeverisë”, duke e quajtur grevën “të stisur nga politika qorre”. Minatorët e Bulqizës e zbuluan të njëjtën gjë kur sindikata “e vjetër” e lidhur me Nikollajn negocionte me kompaninë Albchrome pas shpinës së tyre.
Modeli është konsistent, sindikata nuk bën greva kundër interesave qeveritare apo kompanive të mëdha që kanë pakt me të. Ajo bën greva strategjike, ose i pengon ato, si mjet negociimi për përfitime personale të kryetarit të saj.
Hapi i dytë është mbështetja elektorale për përfitime ekonomike. Lejet mjedisore për HEC Bushi dhe HEC Bushi-1 u dhanë pak para takimeve me drejtues të Partisë Socialiste, pasi Nikollaj kishte deklaruar publikisht se sindikatat mbështesin fushatat elektorale të PS-së.

Konotacioni është i qartë edhe nëse nuk ka dokument zyrtar që e lidh drejtpërdrejt: deklarata e mbështetjes elektorale, takimet me PS-në, licencat e hidrocentraleve dhe 35 vjet shfrytëzim i ujërave që janë pasuri publike.
Pjesa e tretë është bërja e biznesit me kompani jashtë familjes. KTHELLA sh.p.k bën punën e ndërtimit. Kol Nikollaj nuk ndërton asgjë vetë. Ai siguron terrenin politik, heshtjen e sindikatave në negociatat me punëdhënësit dhe mbështetjen elektorale për PS. KTHELLA merr kontratat për HEC-et dhe për punë publikë me faturë disa miliarda lekë.
Lidhja nuk dokumentohet si ortakëri zyrtare. As Kol Nikollaj nuk figuron si aksionar i KTHELLA-s. Por figuron si “kërkues licence” në dokumentet e HEC-eve, duke vepruar juridikisht në emër të kompanisë.
Dhe hapi i katërt është transferimi i aseteve në familja kur ato rrezikojnë të sekuestrohen si pasojë e borxheve. Kur sekuestrot filluan të shtohen mbi KTHELLA sh.p.k., asetet kryesore, HEC Bushi, u transferuan te shoqëria e re “Bushi-Lufi” sh.p.k., e krijuar nga vajza dhe nipi i Kol Nikollajt. Kjo është teknikë klasike e evazionit të ekzekutimit të çështjeve gjyqësore. Asetet fshihen para se kreditorët të mund t’i kapin.
PUNËTORËT, VIKTIMAT E DYFISHTA
Ironia tragjike e historisë është te punëtorët.
Kol Nikollaj kryeson konfederatën që kujdeset për punëtorët shqiptarë. Por punëtorët e hidrocentraleve Bushi dhe Bushi-1 marrin paga nën minimumin ligjor dhe 30% e tyre nuk kanë sigurime shoqërore. Kështu tregojnë dokumentet zyrtare.
Punëtorët e HEC-eve mbase nuk e dinë pronari i tij real është njeriu që del çdo vit e flet në emër të tyre apo gjasme në mbrojtje të tyre. Nuk dinë se ai njeri mbledh dividente të majme, ndërsa atyre u jep çdo muaj paga diskriminuese.
PYETJET QË DUAN PËRGJIGJE
Për SPAK dhe Prokurorinë e Lezhës: A ka ushtruar Kol Nikollaj të drejta pronësore mbi KTHELLA sh.p.k pa u regjistruar si ortak? Nëse po, kjo mund të përbëjë fshehje interesash dhe shkelje të ligjit tregtar. A është transferimi i HEC Bushi nga KTHELLA tek “Bushi-Lufi” sh.p.k në maj 2023 bërë me qëllim evazionin e ekzekutimit të detyrimeve ndaj kreditorëve? Nëse po, kjo mund të përbëjë vepër penale sipas Kodit Penal. A ka lidhje korruptive midis mbështetjes sindikale elektorale dhe dhënies së licencave të hidrocentraleve?
Për ILDKPKI: A ka deklaruar Kol Nikollaj interesat e tij ekonomike në HEC-et Bushi dhe ortakërinë me KTHELLA sh.p.k si person me ndikim publik real mbi vendimmarrjen e shtetit?
Për Ministrinë e Infrastrkturës, Energjisë dhe ERE: A janë HEC-et Bushi dhe Bushi-1 aktualisht operacionale? Nën emrin e cilit subjekti juridik operojnë pas transferimit të 2023? A rezultojnë punëtorët e HEC-eve në rregull me detyrimet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore?
Për Bashkinë Mirditë: Si ka mundësi që Bashkia Mirditë ka bllokuar KTHELLA sh.p.k si debitor në maj 2022 dhe njëkohësisht i ka dhënë 15 kontrata publike me vlerë 184 milionë lekë?
Për KSSh-në dhe ILO: A i plotëson mandati aktual i Kol Nikollajt standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për pavarësinë e liderëve sindikalë nga interesat privatë biznesore dhe nga partitë politike?
Historia e Kol Nikollajt, KTHELLA sh.p.k dhe HEC-eve Bushi tregon se si u kapën Sindikatat dhe si u përdorën ato për afera me shtetin.
100,000 punëtorët që janë anëtarë të KSSh-së nuk e kanë Kol Nikollajn në anën e tyre. Minatorët e Bulqizës nuk e patën. Kontrollorët e Rinasit nuk e patën. Punëtorët e HEC-eve nën pagën minimale nuk e kanë.
Ky rast tregon se mbajtja e tyre nën kontroll iu shpërblye kryesindikalistit me koncesione në energjitikë dhe me tendera me vlerë miliarda lekë.
* Ky investigim i Zoom.al u bazua në të dhëna të marra në regjistrin e QKB/OpenCorporates.al, vendimin Nr. 31/2019 të IKMT-së, të dhëna të Open Procurement Albania, raportime mediatike, deklaratat publike të KSSh-së, dhe ligjet Nr. 9367/2005 dhe ligjin e ILDKPKI. Kol Nikollaj dhe KTHELLA sh.p.k nuk kanë dhënë deklaratë publike në lidhje me akuzat e ngritura nga mediat investigative shqiptare. Të gjitha faktet e cituara mbështeten në burime publike të verifikueshme./Zoom.al

