Politikë

Resorti në Zvërnec/ Rama u kërkon takim protestuesve: Zgjidhni 20 përfaqësues dhe ulemi në një bashkëbisedim publik

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një mesazhi në rrjetet sociale lidhur me protestat që po zhvillohen në kryeqytet kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Zvërnecit në Vlorë.

Përmes këtij postimi, kreu i qeverisë ka shprehur gatishmërinë për të dëgjuar zërin e qytetarëve, duke i ftuar protestuesit në një bashkëbisedim të hapur. Rama u ka kërkuar atyre që të përzgjedhin një grup prej 20 përfaqësuesish për të diskutuar nga afër mbi shqetësimet që kanë rreth këtij investimi.

NOA

Ky reagim i kreut të qeverisë vjen në një kohë kur reagimi qytetar po organizohet për një tjetër tubim. Për ditën e sotme, në orën 18:00, është thirrur një tjetër protestë nga qytetarët dhe aktivistët që kundërshtojnë projektin në Zvërnec.

Postimi i plotë:

Çuna❤️
Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet.
Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.
Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?
Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni.
Nëse doni, natyrisht.
Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona të ndara:
ju në kor me robt e shtëpisë time,
unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian🇦🇱