“U bëhet presion studentëve për provimet”/ Berisha në protestë? Lideri i opozitës: Nuk shkojmë me simbolet e PD, qytetarët janë aty se kërkojnë qeveri teknike
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim të organizuar nga Departamenti i Arsimit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se studentëve u bëhet presion për provimet nëse shkojnë në protestë, ndërsa shtoi PD duhet të marrë pjesë në tubim me flamurin qytetar, duke dhënë një mesazh se ndoshta edhe ai mund t’i bashkohet.
“Disa informacione shumë shqetësuese tregojnë se janë bërë presione mbi studentët. Studentët janë në provime. Dhe studentët janë masivisht në protestë, por ka edhe pedagogë që u kanë bërë presion atyre.
Ju, në departamentet tuaja duhet të jeni avokatë të studentëve dhe nuk duhet të pajtoheni me asnjë njeri që u bën presion studentëve.
Aty ka njerëz të të gjitha bindjeve, të jemi realistë… se janë ca opozitë e opozitës që mendon se ajo është në timon, por ajo në fakt është si miza e Diderot që mendonte se tërheq karrocën dhe jo kali.
Protestën e tërheqin qytetarët aty dhe të rinjtë që rrinë gjashtë orë, pesë orë, i lajnë rrugët e Tiranës me energjinë dhe entuziazmin e tyre.
Protesta është e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë. Kështu që unë ju ftoj, secilin prej jush, të japë kontributin më të madh të mundshëm. Është një moment historik që kjo protestë të ketë sukses. Është një moment shpëtimtar për Shqipërinë.
PD duhet të japë ndihmesën e merituar. Ne shkojmë aty si qytetarë. Nuk shkojmë me simbolet e partisë tonë, por me fibrën qytetare. Flamuri i tyre është ai i qytetarëve, për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Kështu që, është rast i jashtëzakonshëm për çdo qytetar shqiptarë, për çdo të ri që t’i japë një dorë vendit të tij”, u shpreh Berisha.

