Aktualitet

Rama nga Gjermania: Pasuritë e Ballkanit lakmohen nga Rusia dhe Kina, vendi ynë është në Europë

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar nderi në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, një platformë e sipërmarrjes gjermane, që mbledh ekspertë të sigurisë, ekonomisë e inovacionit, si edhe përfaqësues të Bundestagut, Kancelarisë e trupit diplomatik.

Në fjalimin e mbajtur Rama tha se lufta është rikthyer në Evropë dhe konkurrenca strategjike është bërë globale, ndërsa teknologjia po transformon jo vetëm ekonomitë dhe sistemet politike, por edhe mënyrën se si shoqëritë lidhen me njëra-tjetrën.

Ai nënvizoi gjithashtu se rënia demografike po riformëson rajone të tëra, ndërsa një “dimër demografik” po kërcënon të ardhmen e afërt të Evropës.

“Jam piktori më i madh mes kryeministrash. Ballkani perëndimor është një rajon i tërë i rrethuar nga Bashkimi Evropian, fizikisht i dizajnuar në zëmër të Evropës, por i përjashtuar nga portreti i Evropës”, tha Rama mes të tjerash në fjalën e tij

Rama tha se Europës i duhet Ballkani Perëndimor.

“Europës i duhet rajoni ynë. Kjo sepse ne jemi një rajon, që kemi pasuritë tona natyrore. Këto pasuri janë të lakmuara nga Rusia dhe nga Kina. Mirëpo ne i përkasim kontinentit europian dhe duhet të zhvillohemi bashkë me pjesën tjetër të Europës. Ne jemi duke ecur shpejt drejt integrimit në BE. Ne duam që të bëhemi pjesë e BE-së përpara se të mbarojë kjo dekadë. Ne po bëjmë transformimin më të madh në historinë tonë”, tha ndër të tjera Rama.