Aksident tragjik në aksin Korçë–Pogradec: Një i vdekur e dy të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një 26-vjeçari në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 në aksin Korçë–Pogradec, pranë fshatit Vloçisht.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga i riu, është përplasur me një automjet tip “Audi”, në timonin e të cilit ndodhej një 27-vjeçar.
Për shkak të përplasjes së fortë, drejtuesi i “Benz”-it ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i “Audi”-t dhe një pasagjer që udhëtonte me të kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital. Burime zyrtare bëjnë me dije se të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.


