Aktualitet

Aksidentet rriten me 6.8%, qershori me bilancin më të rëndë

Aksidentet rrugore vijuan të shënojnë rritje gjatë muajit qershor, duke rënduar bilancin e sigurisë rrugore në vend edhe për gjysmën e parë të vitit. Të dhënat paraprake të INSTAT tregojnë se në periudhën janar–qershor 2026 numri i aksidenteve u rrit me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vetëm në qershor u regjistrua një rritje e ndjeshme e rasteve dhe e pasojave të tyre.

Gjatë këtij muaji u shënuan 132 aksidente rrugore, ndërsa një vit më parë numri i tyre ishte 107. Pasojat ishin më të rënda, me 186 persona të vrarë ose të plagosur, nga 140 që ishte bilanci i qershorit të vitit 2025.

Në total, në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 u regjistruan 679 aksidente rrugore, kundrejt 636 rasteve në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Numri i personave që humbën jetën ose u plagosën si pasojë e këtyre aksidenteve arriti në 952, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2025 ishte 883.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se shkaku kryesor i aksidenteve vijon të jetë sjellja e drejtuesve të mjeteve. Në qershor, 93.9% e rasteve u atribuuan pikërisht faktorëve që lidhen me drejtuesit. Ndërkohë, grupmosha 35–44 vjeç rezulton më e ekspozuara, duke përbërë 28% të drejtuesve të përfshirë në aksidente.

Përqendrimi më i madh i aksidenteve u evidentua në Tiranë, e cila kryeson listën e qarqeve me 277 raste gjatë gjashtëmujorit dhe 345 persona të vrarë ose të plagosur. Pas saj renditen Lezha me 74 aksidente dhe Vlora me 67 raste.

Orari i mbrëmjes mbetet një nga periudhat më problematike për sigurinë rrugore. Rreth 25% e aksidenteve ndodhën mes orës 19:00 dhe 24:00, ndërsa dita me numrin më të lartë të rasteve ishte e marta, me 18.9% të totalit. Në krahun tjetër, e enjtja regjistroi përqindjen më të ulët të aksidenteve, me 7.6%.