Aksidenti tragjik në Librazhd, konfirmohet vdekja e drejtuesit të mjetit
Është konfirmuar zyrtarisht vdekja e drejtuesit të automjetit që u godit mbrëmjen e sotme nga një gur i shkëputur nga mali në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, në fshatin Hotolisht. Dyshohet se një gur është shkëputur nga mali dhe ka rënë mbi një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi A. H., 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan, Elbasan.
Si pasojë e goditjes së fortë, 42-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje.
Pamjet e mbërritura më herët në redaksi tregonin automjetin e dëmtuar, ndërsa drejtuesi kishte mbetur i bllokuar brenda. Në vendngjarje ndërhynë policia, ambulanca dhe shërbimi zjarrfikës për nxjerrjen e viktimës nga automjeti.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje tragjike.

