Arrestohet në Meksikë “El Jardinero”, një nga bosët e kartelit ‘Jalisco’
Një operacion i forcave speciale të Marinës meksikane ka çuar në arrestimin e Audias Flores Silva, i njohur si “El Jardinero”, një nga figurat më të rëndësishme të kartelit Jalisco Nueva Generacion (CJNG). Aksioni u zhvillua në shtetin Nayarit, në veri të Guadalajara, dhe u konfirmua nga sekretari i Sigurisë, Omar Garcia Harfuch.
Sipas autoriteteve, Flores Silva konsiderohej një nga komandantët kryesorë rajonalë të organizatës kriminale, me ndikim të gjerë në zonat bregdetare të Paqësorit. Ai ishte përmendur gjithashtu si një nga pasuesit e mundshëm të liderit të kartelit, Nemesio Oseguera, i njohur si “El Mencho”.
Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti në Meksikë, ndërsa Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar ekstradimin e tij, duke ofruar edhe një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për kapjen.
Autoritetet meksikane bëjnë të ditur se arrestimi është rezultat i një operacioni të mirëplanifikuar nga Sekretariati i Marinës, me përfshirjen e njësive elitare.
Flores Silva përballet me akuza të rënda në SHBA, përfshirë komplot për trafik ndërkombëtar droge, veçanërisht kokainë dhe heroinë si dhe shkelje që lidhen me armëmbajtjen. Ai ishte përfshirë edhe në listën e trafikantëve ndërkombëtarë të drogës nga Departamenti i Thesarit amerikan.
Ky nuk është arrestimi i tij i parë. Më herët ai kishte vuajtur një dënim pesëvjeçar për trafik narkotikësh, përpara se të rikthehej në Meksikë dhe, sipas autoriteteve, të rifillonte aktivitetet kriminale.
Karteli Jalisco Nueva Generacion, i themeluar në vitin 2009, konsiderohet një nga organizatat më të fuqishme dhe më të dhunshme të trafikut të drogës në Meksikë.


