Av. Arben Llangozi: “Megaoperacioni” i Sarandës në propagandë dhe në fakte/ Emër për emër dhe provë për provë, çfarë deklaron policia dhe çfarë rezulton nga të dhënat e dosjes
Policia e Sarandës e ka servirur operacionin si një goditje të madhe kundër narkotikëve, duke bashkuar në një bilanc arrestime, persona të shpallur në kërkim, persona të proceduar më herët, doza narkotikësh, pistoleta, automjete, celularë, para dhe sasinë prej 5 kilogramësh kanabis. Por kur emrat dhe sekuestrimet ndahen sipas fazave të procedimit, fotografia që del është shumë më pak spektakolare sesa ajo që i është servirur publikut.
Sipas të dhënave që na janë vënë në dispozicion, në operacionin e fundit janë arrestuar 19 persona:
1. Arlind Osmani, 25 vjeç, lindur në Elbasan, banues në Ksamil;
2. Feliks Filija, 27 vjeç, lindur në Elbasan, banues në Ksamil;
3. Medi Myftaraj, 35 vjeç, lindur në Fier, banues në Ksamil;
4. Nikolin Rakipi, 32 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë;
5. Altin Arapi, alias Altin Demiri, 48 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë;
6. Klerjan Popshini, 27 vjeç, lindur në Babrru, banues në Ksamil;
7. Redian Arizi, 33 vjeç, lindur në Këlcyrë, banues në Ksamil;
8. Erion Dido, 41 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë;
9. Dhimiter Terolli, 33 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë;
10. Xhuliano Mejdi, 27 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë;
11. Vasil Kaci, 23 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë;
12. Flatun Lalaj, 54 vjeç, lindur në Fier, banues në Sarandë;
13. Bledar Kovaci, 26 vjeç, lindur në Kukës, banues në Sarandë;
14. Shefqet Bezhani, 20 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë;
15. Andrea Babi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë;
16. Nazif Refitaj, 24 vjeç, lindur në Patos, banues në Sarandë;
17. Elvis Demcaj, 30 vjeç, lindur në Gjirokastër, banues në Sarandë;
18. Denis Saliaj, 22 vjeç, lindur në Tiranë, banues në Sarandë;
19. Korado Omeri, 28 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë.


Në kërkim janë shpallur Fabjo Berhamaj, 30 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Sarandë, si dhe Stilian Rakipi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë. Ermir Nasi, 37 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, sipas të dhënave tona është proceduar në gjendje të lirë.
Ndërkohë, Argjend Nanaj, Ardit Cama dhe K. J. nuk janë persona të kapur gjatë aksionit të fundit. Sipas informacionit që disponojmë, ata janë kapur më herët, më 31 korrik, dhe janë përfshirë në të njëjtin procedim si bashkëpunëtorë. Për të cilin gjykata vendosi arrest të paligjshëm pasi nuk kishte lidhje me ngjarjen pasi ky shtetas kishte shkuar për fiq te gjyshja.
Këtu fillon edhe manipulimi i së vërtetës që Policia e Sarandës duhet t’ia kishte bërë të qartë publikut.
Në njërën anë kemi mënyrën se si është servirur operacioni, një numër i madh personash, 5 kilogramë narkotikë, dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, 2 pistoleta, 4 automjete, 19 celularë dhe para. Të gjitha së bashku krijojnë menjëherë imazhin e një organizate të madhe dhe të një sasie të konsiderueshme droge të kapur gjatë të njëjtit aksion.
Në anën tjetër, sipas të dhënave që na janë dhënë për sekuestrimet e operacionit të fundit, bilanci konkret është, 72 doza kokainë, 80 doza kanabis, 2 pistoleta, 4 automjete, 19 celularë dhe një sasi eurosh.
Dhe këtu është diferenca thelbësore, 5 kilogramët nuk duhen paraqitur sikur u janë sekuestruar këtyre 19 personave gjatë arrestimeve të fundit, nëse ato i përkasin episodit të mëparshëm të procedimit dhe personave të kapur më herët. Data, personi të cilit i është gjetur droga dhe procesverbali i sekuestrimit nuk janë detaje që mund të zhvendosen sipas nevojës së një komunikate.
Edhe për “2 pistoletat” duhet bërë i njëjti kontroll. Pasi nga informacionet që disponojmë, njëra prej tyre është pistoletë lodër ose me gogla, atëherë publikut duhet t’i thuhet çfarë është realisht. Një send që duket si pistoletë në fotografi nuk bëhet automatikisht armë zjarri vetëm sepse tingëllon më mirë në bilancin e një “megaoperacioni”.
Por ka edhe një pyetje shumë më të rëndësishme: si shpërndahen 72 dozat e kokainës dhe 80 dozat e kanabisit ndërmjet 19 të arrestuarve? Kujt iu gjetën? Sa iu gjet secilit? Ku u gjetën? A u sekuestruan në posedimin personal të tyre apo akuzat ndaj një pjese të personave mbështeten kryesisht te përgjimet dhe kontaktet e realizuara gjatë veprimtarisë së agjentit të infiltruar?
Sepse këtu nuk kemi një “thes” penal ku futen 19 emra në njërën anë dhe të gjitha provat në anën tjetër. Përgjegjësia penale është individuale. Nëse një personi nuk i është gjetur drogë, nuk mund t’i vendoset në bilanc droga e sekuestruar një personi tjetër vetëm që operacioni të duket më i madh.
Kështu, sipas informacionit që na është dhënë, ndahet në tre pjesë të ndryshme: 19 persona të arrestuar në fazën aktuale; 2 persona të shpallur në kërkim dhe 1 i proceduar në gjendje të lirë; ndërsa Argjend Nanaj, Ardit Cama dhe K. J. janë kapur që më 31 korrik.
T’i mbledhësh të gjithë, t’u shtosh të gjitha sekuestrimet e fazave të ndryshme dhe më pas t’ia servirësh publikut si një pamje të vetme të “megaoperacionit” mund të prodhojë një titull të madh. Por nuk tregon domosdoshmërisht se çfarë është kapur në operacionin e fundit dhe çfarë prove ekziston konkretisht kundër secilit person.
Prandaj Policia e Sarandës dhe Prokuroria duhet të bëjnë diçka shumë të thjeshtë, të vendosin përballë secilit prej 19 emrave provën konkrete që pretendohet se e implikon. Sa drogë iu sekuestrua? Çfarë lloji? Ku? Kur? Çfarë përgjimi ekziston? Çfarë veprimi konkret i atribuohet?
Vetëm atëherë mund të kuptohet nëse kemi përpara një “megaoperacion” të vërtetë apo një bilanc të fryrë duke bashkuar persona, episode dhe sekuestrime të ndryshme në një paketë të vetme për konsum mediatik.
Sepse propaganda i mbledh të gjitha në një numër. Dosja penale duhet t’i ndajë, emër për emër, provë për provë.


