Av. Kujtim Cakrani: Kryeministër në shërbim të mafies?
Ajo që u bë publike nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj përbën një akuzë jashtëzakonisht të rëndë politike dhe një çështje që kërkon hetim të plotë, të pavarur dhe transparent.
Sipas denoncimeve të tij, gjatë viteve të qeverisjes Rama, në emër të ligjit për “investimet strategjike”, janë vënë në dispozicion të investitorëve rreth 2.1 milionë m² tokë shqiptare. Por edhe më shqetësues është materiali audio i bërë publik, ku biznesmeni izraelit Roni Yeffet, në një bisedë me biznesmenë ukrainas, flet për mundësi investimi në Shqipëri, për lehtësitë që do të kishin për shkak të marrëdhënieve të tij me Edi Ramën dhe për skema të mundshme të trafikut të armëve drejt zonave të konfliktit.
Dhe pastaj vjen ajo fjali që të trondit:
“Do marrim edhe Vlorën.”
Vlorën?! Sikur Shqipëria të ishte pronë private. Sikur toka, portet, energjia, gazi dhe pasuritë publike të ishin plaçkë që ndahet mes oligarkëve dhe njerëzve me lidhje politike.
Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, atëherë nuk kemi të bëjmë më thjesht me korrupsion individual. Kemi të bëjmë me një model kapjeje të shtetit, ku politika, biznesi dhe interesat e dyshimta ndërthuren në kurriz të pasurisë publike dhe interesit kombëtar.
Prandaj pyetja nuk është më vetëm:
“Kush e mori tokën shqiptare?”
Pyetja është:
Kush e vendosi Shqipërinë në dispozicion të këtyre interesave? Kush përfitoi? Kush firmosi? Kush ndërhyri? Dhe kujt i shërbente shteti shqiptar?
Nëse një kryeministër përdor pushtetin për t’u krijuar individëve të caktuar privilegje mbi pasurinë publike, atëherë ai nuk mund të fshihet pas togfjalëshit “investime strategjike”.
Sepse investimi strategjik është ai që i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve — jo ai që e sheh Shqipërinë si plaçkë për t’u ndarë.
“Shqipëria në shitje” nuk duhet të mbetet thjesht një slogan politik.
Duhet të jetë një çështje për drejtësinë.
Nëse ka prova për korrupsion, trafik influence, shpërdorim detyre apo lidhje të paligjshme mes funksionarëve publikë dhe interesave private, atëherë përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe penale, pavarësisht se sa i fuqishëm është personi që qëndron në majë të piramidës.
Shqipëria nuk është pronë e Edi Ramës. Nuk është pronë e oligarkëve. Nuk është pronë e biznesmenëve të huaj.
Është pasuri e shqiptarëve.
Dhe nëse dikush ka menduar se mund ta shesë, ta ndajë apo ta japë me koncesion Shqipërinë sikur të ishte pronë private, atëherë një ditë duhet të japë llogari.
Jo para Facebook-ut. Para ligjit.


