“Bankers”, Leonidha Çobo i dha 45 milionë euro të vëllait
Ish-administratori i Bankers, Leonidha Çobo, ka ushtruar detyrën nga viti 2010 deri në vitin 2019 dhe gjatë kësaj periudhe ka përfituar një shumë të konsiderueshme nga paga dhe shpërblimet.
Në total, ai ka marrë 584,741,220 lekë, ndërsa vetëm në vitin 2016 përfitimet e tij arritën në 172,803,098 lekë. Kjo ngre pyetjen nëse ekziston ndonjë kompani tjetër që mund të paguajë administratorin e saj deri në 1.7 miliardë lekë në vit, ose rreth 141 mijë euro në muaj, dhe njëkohësisht të rezultojë me humbje duke shmangur detyrimet ndaj shtetit ku operon.
Gjithashtu, rezulton se për më shumë se një dekadë, Leonidha Çobo ka përzgjedhur pa asnjë procedurë tenderimi apo gare kompaninë e familjes së tij. Konkretisht bëhet fjalë për shoqërinë “TEA-CO shpk”, në pronësi të vëllait të tij Artur Çobo dhe bashkëshortes së këtij të fundit, Antigone Çobo.
Përveç shpërblimeve të larta, si ai i vitit 2016 ku Çobo së bashku me dy drejtorë të tjerë të Bankers përfituan rreth 3 milionë euro, ndikimi i tij në kompani shtrihej në shumë aspekte të aktivitetit. Nga viti 2005 deri në vitin 2019, kompania “Tea Co” ka përfituar rreth 45 milionë euro nga Bankers përmes faturimeve. Sipas dosjes, kjo shumë lidhet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht me marrëdhënien me Bankers gjatë një periudhe 15-vjeçare.
Prokuroria thekson se fondet e përfituara nga “Tea Co” janë transferuar më pas në llogaritë e bashkëshortes së Leonidha Çobos, ndërsa i vetmi klient i kësaj kompanie ka qenë Bankers. Skema bëhet më e qartë pas largimit të Çobos nga kompania në vitin 2020, kur të ardhurat e “Tea Co” pësuan një rënie të menjëhershme dhe drastike, duke sugjeruar një lidhje të drejtpërdrejtë mes përfitimeve dhe pozicionit të tij drejtues.
Një tjetër mekanizëm për nxjerrjen e parave nga Bankers dyshohet të jetë realizuar përmes subjektit “Leonidha Çobo Person Fizik”, të krijuar pak para largimit të tij nga kompania. Përmes këtij subjekti janë përfituar qindra miliona lekë nëpërmjet faturimeve ndër vite.
E njëjta praktikë është ndjekur edhe me shoqërinë “Tetra shpk”, ku Çobo është aksioner që prej qershorit 2023. Kjo kompani, megjithëse pa staf, ka përfituar mbi 180 milionë lekë nga Bankers brenda dy viteve.
Në të gjitha këto struktura, rol kyç ka pasur vëllai i tij, Artur Çobo, i cili së bashku me bashkëshorten Antigone kanë shërbyer si pjesë e një rrjeti që ka mundësuar transferimin e fondeve nga Bankers drejt llogarive familjare të Leonidha Çobos.

