Aktualitet

Beqir Sina: Restoranti Çka Ka Qëllu hap lokalin e parë në Westwood- New Jersey

WESTWOOD, NJ – Restoranti Çka Ka Qëllu, i rrënjosur në shijet mesdhetare dhe traditat shqiptare e kosovare, hapi lokalin e tij të parë në New Jersey. Ceremonia e prerjes së shiritit u zhvillua të enjten në Kinderkamack Road, Westwood.
Pronari Ramiz Kukaj priti në këtë ceremoni përuruese për prerjen e shiritit mes të ftuarve dhe kryetarin e Bashkisë së Westwood, Ray Arroyo, i cili bashkë me Dhomën e Tregtisë lokale organizon rregullisht ngjarje të tilla për bizneset e reja në këtë qytet.
Në ceremonin përuruese morën pjesë dhjetëra biznesmenë, artistë dhe aktivistë të komunitetit, përfshirë ambasadorin Blerim Reka, Shef i Misionit të Kosovës në Nju Jork, dhe Violetta Berisha, kryetare e Bashkisë Fairview.

Ky është lokali i katërt i rrjetit Çka ka Qëllu pas Bronksit, Manhattanit dhe Stamfordit në Connecticut.
Restoranti është arredhuar me shije të rrallë, duke kombinuar stilin modern me elemente tradicionale e patriotike shqiptare. Dhe, me disa koleksioni të objekteve antike shqiptare nga shekujt XVIII-XIX të cilat e kthejn hapësirën e lokalit  në një përvojë unike restoranti-muze në zonën e Tri-Shteteve.
Menuja bazohet në gatime tradicionale shqiptare, të përgatitura ngadalë në enë balte për të ruajtur shijen autentike të kuzhinës së shtëpisë. Këto shije mesdhetare kanë gjetur rrugën e tyre edhe tek klientela amerikane.
Ramiz Kukaj ka thënë se ai u frymëzua të krijonte këtë koncept kur djali i tij e pyeti se ku mund ta çonte shoqërinë për të provuar kuzhinën autentike shqiptare. Duke mos gjetur opsion të përshtatshëm, ai e ktheu këtë në misionin e tij për të sjellë kuzhinën dhe kulturën shqiptare në Amerikë.
Që nga qershori 2025, Çka Ka Qëllu është përfshirë për të pestin vit radhazi në listën e 100 restoranteve më të mira të New York Times në New York.
Restoranti i ri Çka Ka Qëllu në Westwood, ashtu si edhe të tjerët deri tani, është një sukses i rëndësishëm për promovimin e kuzhinës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, sidomos duke pasur parasysh se restoranti është vlerësuar vazhdimisht nga kritikët e gastronomisë në Nju Jork.

Screenshot
Screenshot

Screenshot