Berisha: Nuk kam punuar kurrë për një protestë sa atë të “Flamingove”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protesta e njohur si ajo e “Flamingove” ka qenë një nga mobilizimet më të mëdha për të cilat ka punuar politikisht dhe se gjatë gjithë verës ka mobilizuar qytetarë për t’iu bashkuar tubimeve kundër qeverisë së Edi Ramës.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Berisha tha se e ka mbështetur protestën e të rinjve dhe qytetarëve, të cilët kërkonin largimin e kryeministrit. Ai u shpreh se do të kishte ndier kënaqësi nëse kjo lëvizje do të arrinte të rrëzonte qeverinë.
“Protestat janë pasioni im. Unë çdo ditë kam zhvilluar mbledhje dhe nuk kam bërë asnjë ditë pushim gjatë verës, duke mobilizuar njerëz për t’i çuar në protestë. Në respekt të plotë të qytetarëve dhe të rinjve që ishin ngritur në mënyrën më të bukur dhe madhështore, kisha admirimin më të madh. Nëse do të përmbysnin Edi Ramën, do të ndieja kënaqësinë më të madhe, sepse jam atdhetar. Kryeministri u takon atyre që rrëzojnë qeverinë. Nuk kam punuar kurrë për një protestë sa për atë të Flamingove”, deklaroi Berisha.
Ai foli edhe për protestat studentore, ku PD-ja ka deklaruar mbështetjen e saj, por ku një pjesë e protestuesve kanë kundërshtuar përfshirjen e opozitës dhe kanë kërkuar që lëvizja të mos marrë ngjyrime partiake.
“Armiku më i rrezikshëm është ai që i kthen shpinën. Ata që lëshojnë slogane kundër nesh janë armiqtë tanë. Në këtë betejë, armiku i armikut tim është aleati im. E studentëve është histori tjetër.
Nuk kam shkuar dhe nuk shkoj, sepse është protestë e studentëve dhe PD qëndron në mbështetje të tyre. Me t’u shfaqur unë, për disa arsye, ajo protestë merr konotacionin e Sali Berishës. Jemi brenda në protestë. Janë me qindra të rinj të FRPD-së dhe GRUD-it”, u shpreh kreu i PD-së.


