Berisha pas paraqitjes në SPAK: Duhet të futeshe me maskë, dosjet e Ramës kundërmonin
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, në kuadër të dosjes “Partizani”.
Pas daljes nga SPAK, Berisha u ndal te gazetarët dhe e përqendroi deklaratën e tij te një sërë akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. Ai tha se në SPAK “duhej të futeshe me maskë ose me antigaz”, duke pretenduar se dosjet që lidhen me qeverinë “kundërmonin në të katër anët”.
Berisha ngriti pyetjen se përse, sipas tij, Edi Rama nuk është thirrur nga SPAK për çështje të ndryshme që ai i cilësoi si afera korruptive. Në deklaratën e tij ai përmendi zgjedhjet, portin e Durrësit, AKSHI-n, IPARD-in, KAYO-n, mes të tjerave.
Berisha akuzoi SPAK-un se nuk po heton kryeministrin dhe përdori shprehjen “skllevërit e tij” për të iu referuar drejtuesve të institucionit.
“Atë se çfarë gjeta, ua tregoj unë. Dëgjoni pak ju lutem.
Aty duhet të futeshe me maskë ose me antigaz sepse dosjet e Edi Ramës kundërmonin në të katër anët. (…)
Për ndërtimin e portit në Porto Romano, shqiptarët duhet të paguajnë nga taksat e tyre 1.2 miliardë dollarë.
A duhej të pyetej Edi Rama nga skllevërit e tij në këtë institucion për rrugët që ndërtohen me çmime 6 deri në 10 herë më të larta se në Evropë? A duhej të pyetej Edi Rama për gjobën prej 120 milionë euro që i bëri shqiptarëve me aferën Beketi? A duhet të pyetet Edi Rama për takimin në Aruba, në të cilin morën pjesë trafikantët, ndërtuesit, dhe morën pjesë të dërguarit e Edi Ramës, emrat e të cilëve i mbajnë sekret skllevërit e tij? A duhej të pyetej Edi Rama për AKSHI-n, në të cilin familjarisht ka grabitur mbi 600 milionë euro? (…) A duhej të pyetej Edi Rama për rolin e Ergys Agasit, i cili është i filmuar dhe fotografuar në të gjitha format? A duhej të pyetej Edi Rama për urdhrat që i ka dhënë Ermal Beqirit për operacionet më të ndyra ndaj shqiptarëve dhe të huajve në Shqipëri? A duhej të pyetej Edi Rama për IPARD-in? Mori këshilltare ministren e cila gjobiti fermerët shqiptarët me 130 milionë euro para të IPARD-it për shkak të vjedhjes së tyre. A duhej të pyetej Edi Rama për KAYO-n e tij, në të cilin i jep kompanisë 40 milionë euro, blen makinat dhe ato makina i blen qeveria? A ndodh në botë një skemë e tillë vjedhje si këtu?”, tha ndër të tjera Berisha.


