Politikë

Berisha pas votimit për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar: U vonova pasi kandidaturat janë të shkëlqyera

Teksa kuvendi Kombëtar i demokratëve vijon në mënyrë të gërshetuar me fjalime dhe votime, kreu demokrat Sali Berisha në një deklaratë për mediat pas votimit për anëtarët e rinj të këshillit demokrat tha se kandidatët në lista përfaqësojnë elitën politike të Shqipërisë.

Sipas tij, kjo e bën të vështirë zgjedhjen pasi “kandidaturat janë të shkëlqyera”.

“Unë jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, përfaqësojnë një ripërtëritje në frymën e këtij kuvendi. Listat janë nga më dinjitozet, por shumësia e kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen. Sepse ka kandidatura të shkëlqyera. U vonova se janë 3 kategori, i kanë ndarë këtë herë në votimin veças për burrat, për zonjat e të rinjtë. Mendoj që kanë vepruar drejt në mënyrë që kuota e tyre të respektohet. Uroj që gratë të arrijnë në 40% dhe është detyrim statutor dhe të rinjtë të jenë sa më të pranishëm. Ripërtëritje do të thotë vizion modernitet dhe organizmi më i fuqishëm. Nga seksioni deri në majë do ripërtërihet”, tha Berisha.