Aktualitet

Beteja me flakët/ Rama: Shpërblim direkt me një pagë për ata që angazhohen me zjarret! 4 helikopterë në dispozicion, në fund të vitit marrim 3 avionë

Shqipëria po përballet me një verë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarret, ndërsa Rama thotë se ka forcuar kapacitetet e reagimit me helikopterë. Autoritetet paralajmërojnë ndëshkime deri në 15 vite burg për zjarrvënësit, ndërsa bëjnë me dije se që nga 1 qershori janë regjistruar 22 vatra zjarri dhe mbi 1 mijë efektivë janë angazhuar në operacionet e shuarjes

Shqipëria njëjtë si gjithë Evropa po përballet me një verë të nxehtë dhe me rrezik të shtuar për zjarret, ndaj emergjencat civile janë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se aktualisht vendi ka në dispozicion katër helikopterë për operacionet e shuarjes së flakëve. Ndërsa në fund të vitit flotës ajrore do t’i shtohen edhe tre avionë zjarrfikës, që do të jenë pronë e shtetit shqiptar. Ai shtoi se në monitorimin e territorit do të përdoren edhe dronë me një sistem të ri.

 

“Kemi në dispozicion kapacitetet më të mëdha që kemi pasur ndonjëherë. Kemi katër helikopterë të gatshëm, të cilët, në çdo moment nevoje, mund të bëhen gjashtë. Kemi mbyllur gjithashtu procedurën për blerjen e tre avionëve, të cilët do të mbërrijnë në fund të vitit dhe do të jenë pronë e shtetit shqiptar. Po ashtu, kemi rënë dakord që, në rast të një situate të zgjatur emergjence, të kemi në dispozicion edhe avionë nga baza ku po përgatiten dhe do të vihen në gatishmëri mjetet e reja ajrore që do të merren në fund të këtij viti. Dronët do të përdoren në mënyrë specifike, përmes një sistemi të ri monitorimi”, tha Rama.

Rama njoftoi gjithashtu se personat që angazhohen në operacionet për përballimin e zjarreve do të shpërblehen me një pagë shtesë.

“I kam propozuar qeverisë që të gjitha forcave që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes të shpërblehen menjëherë dhe jo në fund me një pagë ekstra. U bëj thirrje edhe bashkive të bëjnë të njëjtën gjë për trupat e tyre në territor dhe ta bëjnë menjëherë, pa pritur të mbarojë e gjithë beteja”, tha Rama.

Rama u ndal edhe te situata dramatike në Francë dhe Spanjë, ku 320 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë për shkak të flakëve. Ai tha se këto ngjarje janë një paralajmërim edhe për Shqipërinë, e cila duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar.

“Ajo që po ndodh në Francë dhe Spanjë nuk është diçka që duhet të na bëjë të pyesim nëse mund të ndodhë edhe tek ne, por vetëm sa të përgatitur jemi kur të ndodhë”, tha Rama. 

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari paralajmëroi tolerancë zero ndaj zjarrvënësve.

“Kush i vë zjarrin nuk sulmon natyrën por sulmon sigurinë kombëtare dhe do të përballet me forcën e ligjit, deri në 15 vite burgim”, tha Lamallari.

Ndërsa Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, bëri një bilanc të situatës aktuale, ku theksoi se nga 1 qershori deri më 24 korrik janë regjistruar 22 vatra zjarri dhe 1100 forca janë angazhuar për fikjen e tyre.

Deri më tani situata me zjarret në vend ka qenë në kontroll, pas një bilanci tejet negativ në verën e 2025-ës, ku 346 vatrat e zjarreve të rëna shkrumbuan 49 mijë hektarë pyje e kullota.

 Qeveria shqiptare shprehet e gatshme për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve edhe Francën e Spanjës pas situatës kaotike të krijuar prej ditësh, që kanë bërë që me mijëra qytetarë të evakuohen nga banesat e tyre.