Bordi i Ramës vijon t’ua ulë dhe ngrejë shqiptarëve, nafta sot 3 lekë më shtrenjtë
Vendimi më i fundit i Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve ka shkaktuar reagime, pasi vjen vetëm një ditë pasi ishte reflektuar një ulje. Të premten, bordi i ngritur nga qeveria e Edi Ramës vendosi që çmimi i naftës të rritet në 210 lekë për litër, nga 207 lekë që ishte një ditë më parë, ndërsa benzina u rrit në 176 lekë për litër nga 174 lekë. Ky ndryshim i menjëhershëm ka krijuar perceptimin e një luhatjeje të pajustifikuar dhe të paqëndrueshme për konsumatorët.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 është përcaktuar maksimalisht 210 lekë/litër, ndërsa ai me shumicë 198 lekë/litër. Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është 176 lekë/litër dhe 164 lekë/litër me shumicë. Vendimi hyn në fuqi në orën 16:00 të datës 17 dhe do të mbetet i tillë deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku priten sërish rishikime të mundshme në bazë të tregut.
Këto ndryshime të shpeshta, brenda një harku kaq të shkurtër kohor, kanë ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë dhe transparencën e mekanizmit të vendosjes së çmimeve. Nga një ulje simbolike një ditë më parë, në një rritje të menjëhershme sot, qytetarët përballen me kosto të paparashikueshme, ndërsa tregu i karburanteve vijon të mbetet i ndjeshëm ndaj vendimeve administrative.

