Aktualitet

“Çdo seancë do të na kenë te dera” – Aktivisti: Do t’i presim me vezë dhe e miell! S’do të pranojmë më të përfaqësohemi nga Belinda dhe Flamur Noka

Këtë të shtunë mbahet protesta e 98-të qytetare para Kryeministrisë.

Aktivisti Edison Lika, teksa mori fjalën në protestë, përsëriti sërish se ditën e martë, në orën 17:00, do të mblidhen përpara godinës së parlamentit, ku pritet që të nisë edhe seanca e parë plenare pas pushimeve të verës.

Ai theksoi se do të jenë përpara parlamentit për t’i pritur me vezë, domate dhe miell deputetët, që siç shtoi ai, nuk përfaqësojnë popullin. Lika tha se nuk do të lejojnë më që të përfaqësohen nga deputetë si Belinda Balluku, Zegjine Çaushi apo Flamur Noka, dhe të tjerë si puna e këtyre.

“A jeni gati t’ju bëjmë vizitë deputetëve apo jo? A do t’i presim me vezë, domate dhe miell? Të gjithë ata që kanë menduar se kjo protestë do të ndryshojë modelin e saj, ne do të vazhdojmë njësoj te kryeministria, ama ditën e martë në orën 5 pasdite do të jemi te parlamenti se fillon seanca plenare. A do t’iu themi në fytyrë se nuk na përfaqësoni? Parlament analfabet.

Ne do të vazhdojmë protestën si përditë, por edhe në çdo seancë plenare do të na kenë te dera. Ai parlament nuk duhet të jetë më i disa maskarenjve që nuk përfaqësojnë qytetarët, por krimin dhe oligarkinë ekonomike. Ne nuk do të pranojmë më të përfaqësohemi as nga Belinda dhe as nga Zegjineja.

Nuk do të pranojmë të përfaqësohemi më as nga Flamur Noka dhe Flamur Nokët e parlamentit që janë futur nëpër lista nga kryetarët e partive, që nuk i njeh as familja e vet. Ky shtator do ta gjejë popullin në shesh dhe në revoltë deri në dorëheqjen e Edi Ramës dhe të gjithë qeverisë“, tha ai.