CNN: Karta e gjelbër, duke i detyruar potencialisht qindra mijëra njerëz të largohen nga SHBA-ja për të aplikuar
Përgatiti Ilir Ikonomi

Administrata Trump tani do t’u kërkojë personave që kërkojnë “green card” (kartë qëndrimi të përhershëm) të largohen nga Shtetet e Bashkuara gjatë procesit të aplikimit — një ndryshim i madh që mund të trazojë jetën e qindra mijëra njerëzve që kërkojnë të drejtën për të jetuar dhe punuar ligjërisht e përgjithmonë në SHBA. Në një rregull të ri të shpallur të premten, autoritetet amerikane të emigracionit thanë se aplikantët për green card do të duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës për të aplikuar për vizë të përhershme. Ky ndryshim i papritur politik pritet të prekë një pjesë të madhe të emigrantëve të ligjshëm në SHBA, duke i detyruar ata që kërkojnë Green Card të largohen nga vendi — duke ndarë familje dhe duke detyruar njerëzit të lënë vendet e punës. Aplikimi për Green Card është në vetvete një proces mjaft vështirë, që mund të zgjasë nga disa muaj deri në disa vjet. Shërbimi Amerikan i Shtetësisë dhe Emigracionit (USCIS) tha se rregulli parashikon përjashtime për “rrethana të jashtëzakonshme”.
“Kur të huajt aplikojnë nga vendi i tyre, zvogëlohet nevoja për të gjetur dhe deportuar ata që vendosin të qëndrojnë ilegalisht në SHBA kur u refuzohet qëndrimi,” tha një zyrtar.
Sipas të dhënave publike të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, rreth 1.4 milion njerëz fituan qëndrim të përhershëm ligjor gjatë vitit fiskal 2024. Rregulli i ri ka gjasa të përballet me sfida ligjore. Që prej shpalljes të premten, ai ka hasur në një valë kritikash nga avokatë, ligjvënës dhe mbrojtës të emigrantëve. Përfaqësuesja demokrate e Illinois-it, Delia C. Ramirez, shkroi në X se kjo politikë është “mëse mizore” dhe bëri thirrje për shpërbërjen e Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, tha në X se politika e re “tradhton vetë premtimin mbi të cilin u ndërtua ky vend.” David J. Bier, drejtori i studimeve mbi emigracionin në Institutin Cato, e përshkroi politikën si “jologjike” në një analizë ku paraqiti pasojat e mundshme. “Ajo do t’i shtyjë njerëzit e talentuar drejt vendeve të tjera dhe do ta bëjë Amerikën një vend më pak konkurrues për biznesin,” shkroi Bier. Megjithëse goditja ndaj emigracionit ilegal ka qenë një përparësi kryesore e administratës Trump, rregulli i ri përfaqëson rastin më të fundit të përpjekjeve të administratës për të kufizuar edhe format ligjore të emigracionit. Administrata ka bërë përpjekje për të ulur ndjeshëm kërkesat për azil; ka hequr statusin e mbrojtjes së përkohshme për disa vende, status që u lejonte njerëzve që iknin nga fatkeqësitë natyrore, luftërat apo kushte të tjera të rrezikshme të jetonin në SHBA pa frikën e deportimit; ka ndaluar pranimin e refugjatëve, me përjashtim të afrikanëve të bardhë të Jugut; si dhe ka kufizuar vizat e punës dhe ato studentore. Pas të shtënave me armë vitin e kaluar ndaj dy ushtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington DC, administrata njoftoi se po rishqyrtonte të gjitha green card-et e lëshuara për persona nga 19 vende “shqetësuese”. Megjithatë, autori i dyshuar i atyre të shtënave, një shtetas afgan, kishte aplikuar për azil — një proces tjetër nga ai i aplikimit për green card — në vitin 2021, dhe azili iu miratua në vitin 2025. Mbështetësit republikanë të Donald Trump dhe zyrtarët e administratës së tij e mbrojnë këtë politikë kryesisht me tre argumente:
- Respektimi i sistemit origjinal të emigracionit
Ata thonë se njerëzit që hyjnë në SHBA me viza të përkohshme — studentore, turistike ose pune — nuk duhet të jenë automatikisht në gjendje të qëndrojnë përgjithmonë duke ndryshuar statusin brenda vendit. Sipas tyre, green card-et fillimisht ishin menduar të përpunoheshin përmes konsullatave amerikane jashtë vendit.
- Parandalimi i tejkalimit të afatit të vizave dhe qëndrimit ilegal
Zyrtarët e Trump argumentojnë se, nëse aplikantët duhet të kthehen në vendet e tyre, më pak njerëz do të mbeten ilegalisht në SHBA pasi t’u refuzohet kërkesa. Zëdhënësi i USCIS-it, Zach Kahler, tha se kjo do të zvogëlojë nevojën për të “gjetur dhe larguar” njerëzit që zhduken brenda vendit pasi u refuzohet rezidenca.
- Siguria kombëtare dhe “verifikimi ekstrem”
Republikanët e Trump shpesh e shohin emigracionin përmes prizmit të sigurisë. Ata argumentojnë se kontrollet më të rrepta dhe përpunimi i aplikimeve jashtë vendit mundësojnë verifikime më të mira të së kaluarës dhe zvogëlojnë mashtrimet ose abuzimet me sistemin e emigracionit. Kjo përputhet me qasjen më të gjerë të Trump për “verifikim ekstrem” dhe zbatim më të fortë të ligjeve të emigracionit. Kjo politikë mund të ndikojë tek emigrantët shqiptarë në SHBA, sidomos ata që po aplikojnë për green card përmes martesës, familjes ose punës. Ata mund të detyrohen të kthehen në Shqipëri dhe të vazhdojnë procedurat në ambasadën amerikane në Tiranë. Kjo mund të sjellë ndarje të familjeve për muaj të tërë, humbje pune, pasiguri për rikthimin në SHBA, ndërprerje të shkollimit të fëmijëve. Për shqiptarët me viza studentore ose pune, klima e emigracionit pritet të bëhet më e ashpër, me më shumë kontrolle dhe vonesa. Megjithatë, shqiptarët nuk janë përfshirë deri tani në listat e vendeve me kufizime të veçanta sigurie. Profesionistët e kualifikuar si mjekë, inxhinierë apo studiues mund të kenë përjashtime në disa raste. Lotaria amerikane nuk duket se është prekur drejtpërdrejt nga ky rregull, por atmosfera ndaj emigracionit është bërë më e pasigurt. Ekspertët presin edhe sfida ligjore në gjykata, prandaj politika mund të ndryshojë ose të bllokohet pjesërisht.

