Aktualitet

Denar Biba, Robin Hoodi hajdut pasi vodhi popullin: Ditë të mira për juve

Autoriteti i Konkurrencës na ka dhuruar një perlë të re komunikimi me sloganin shpresë-dhënës “Ditë të mira për konsumatorin shqiptar”, pas vitesh zhvatje të xhepave të popullit.

Biba i AK pasi ka vjelur gjoba sistematike jo vetëm nga kompanitë e operatorët celularë, por prej vitesh në fushën e konsumit të produkteve bazë, këtë radhë ka marrë rolin e Robin Hoodit, duke përvetësuar një pjesë të zhvatjeve që i kanë bërë këto kompani qytetarëve shqiptarë. Ndryshimi i Robin Hood-it tonë modern është se paratë që ua vodhi hajdutëve nuk ua shpërndau të vobektëve, por i fut në xhepin e tij, pra me pak fjalë aplikoi sistemin gjobë mbi gjobë.

Për ta glorifikuar këtë “ditë të shenjtë të shpëtimit”, sipas njoftimit zyrtar, dy gjigantët e telekomunikacionit që duket se nuk i kanë paguar gjobën e radhës Bibës tani e tutje do të detyrohen nga lart për të bërë “bamirësi” tregtare.

Por si gjithmonë në Shqipëri, transparencë është alla shqiptarçe, pasi shpallim fitoren, u biem daulleve, bëjmë konferenca shtypi me tituj poetikë, kurse vendimin e zbardhur… e gjejmë të zbatuar diku nga fundi i vitit, ose kur të ketë mbaruar kjo kontratë abonimi…

E thënë shkurt, konsumatorët shqiptarë janë spektatorë të një teatri institucional ku drejtorët e institucioneve pasojnë paratë e popullit në thasët e vet dhe e shesin bërjen e detyrës së tyre që duhej zbatuar prej kohësh në mënyrë rigoroze, si ditën e shpëtimit për popullin e varfër.