Politikë

Denoncimi i profesorit nga protesta para Kryeministrisë: Shqipëria po digjet nga “Paketa e Maleve” e lojrat e ndyra antishqiptare

Në protestën e 99-të kundër qeverisë, profesori Lush Susaj deklaroi se kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë.

Duke folur për situatën e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit, Susaj pretendoi se ato nuk janë pasojë e shkaqeve natyrore, por të vëna qëllimisht.

“Zjarr natyral nuk ka, janë të vënë në mënyrë të qëllimshme. Shqipëria po digjet nga Paketa e Maleve dhe lojërat e ndyra antishqiptare me prona”, u shpreh ai.

Susaj ngriti gjithashtu pretendime për lidhje mes zonave të përfshira nga zjarret dhe projekteve të ndryshme të zhvillimit. “Kudo ku ka zjarr mbin një resort apo park fotovoltaik”, deklaroi profesori, pa paraqitur prova për këto pretendime.

Duke iu rikthyer protestës, ai e cilësoi atë si një lëvizje që, sipas tij, po zgjerohet dhe po forcon kërkesën për ndryshim politik.

“Protesta është shembullore, po vjen duke u rritur dhe ka vendosur një kusht themelor, dhënia e dorëheqjes së Ramës dhe qeverisë”, tha Susaj.

Në fund të fjalës së tij, ai akuzoi qeverinë se ka dëmtuar pluralizmin politik dhe demokracinë në vend, duke deklaruar se “ka zhdukur pluralizmin real dhe demokracinë”.